E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat pa sipërfaqe, si regjistrohen në Hipotekë

Qeveria nxjerr vendim për regjistrimin vetë të pronave ndërkufitare, kur palët janë grindje për pronësinë e tyre. 

BLEDAR HOTI

Në mbledhjen e djeshme qeveria miratoi projektvendimin "Për procedurat e regjistrimit të pasurive, për të cilat zotërohen dokumente të ligjshme pronësie, por nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen". Mbi bazën e këtij vendimi personat e kësaj kategorie që nuk kanë regjistruar pronën e tyre në kadastër, ZRRP, se kanë përplasje me fqinjët, si dhe prona e tyre ndodhet ngjitur me ndonjë institucion apo ent shtetëror do t'i drejtohen ZRRP-së, që të realizojë një proces të tillë. Në relacionin e paraqitur nga ana e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj theksohet se, "qëllimi i këtij vendimi është përcaktimi i detajuar i fazave që do të përshkojë procesi i regjistrimit të pronës së paluajtshme të individëve, personave juridikë privatë ose shtetërore, që zotërojnë dokumente me të cilat provojnë pronësinë mbi pasuri të paluajtshme". Sipas Ministrisë së Drejtësisë, dikaster përgjegjës për kthimin e kompensimit të pronës, në praktikë, janë verifikuar raste në të cilat marrja e deklaratës noteriale ka qenë tepër e pamundur dhe kjo për shkak se pronar kufitar i pronës së kërkuesit ka qenë një institucion apo ent shtetëror dhe në këtë aspekt deklarata noteriale është zëvendësuar me një konfirmim zyrtar që lëshon titullari. Një tjetër çështje janë edhe konfliktet e kërkuesit me fqinjët, si dhe për shkak se personi, që është kufitar me pronën e kërkuesit është vetëm posedues ose kur prona ka disa bashkëpronarë. "Për zgjidhen e këtyre situatave, në këtë vendim është përcaktuar zhvillimi i një procedure më të cilën synohet zëvendësimi i deklaratës së pronarit kufitar. Kjo procedurë konsiston në afishimin e gentplanit apo planvendosjes në ambientet e dukshme të ZRPP-së si dhe në ambiente, të dukshme për publikun, të pasurisë për të cilën është bërë kërkesa për regjistrim, për një afat 45 ditor", thuhet në relacionin shpjegues. Në rast se brenda 45 ditësh nuk ka ndonjë ankesë ndaj kërkuesit për regjistrimin e pronës nga pronari kufitar, atëherë Zyra e Hipotekës harton një procesverbal, i cili përmban një përshkrim të procedurave që janë kryer dhe një kopje e tij depozitohet në arkivin e ZRRP-së, ndërsa kopja tjetër administrohet në dosjen e kërkuesit të regjistrimit të pronës, duke zëvendësuar në këtë mënyrë deklaratën e pronarit kufitar. Nëse ka pretendime, regjistruesi e refuzon kryerjen e matjes së pronës së kërkuesit. "Brenda 30 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës, me përjashtim të rasteve të afishimit të parashikuara në pikën 10, të këtij vendimi, regjistruesi merr vendim për regjistrimin ose refuzimin e regjistrimit të pasurisë", thuhet në pikën 15 të vendimit. Kundër këtij vendimit refuzues nga ZRRP-ja mund të bëhet ankim në gjykatë brenda 30 ditëve nga dita e njoftimit. Në këtë proces përfshihen edhe ata persona të kësaj kategorie, që kanë paraqitur kërkesën për regjistrimin e sipërfaqes së tyre, por që nuk i është zgjidhur një problem i tillë.

Pjesë nga vendimi i Qeverisë

Çdo subjekt, i cili zotëron aktin e fitimit të pronësisë, sipas përcaktimit në nenin 193, të Kodit Civil, për pasuri, të cilat nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen, pozicion gjeografik dhe sipërfaqja e tyre është përcaktuar gjatë regjistrimit sistematik të pasurive të zonës kadastrale ku ndodhet kjo pasuri, për regjistrimin e pasurisë në pronësi të tij, kur gjatë regjistrimit fillestar pasuria është regjistruar me pronar "të pavërtetuar", duhet të paraqesë në zyrën e regjistrimit, edhe këto dokumente:
a. aktin e fitimit të pronësisë;
b. një planvendosje apo genplan të pasurisë;
c. deklaratat noteriale të pronarëve të pasurive kufitare.
Kërkesa për regjistrim fillestar pronësie, sipas shkronjës "b", të nenit 24, të ligjit nr.7843, datë 13.7.1994, në rastin kur kërkuesi zotëron dokumente pronësie për truallin ose për truallin dhe objektin mbi këtë truall, duhet të shoqërohet me dokumentet e mëposhtme:
a. Dokumentin (aktin e fitimit të pronësisë), sipas nenit 193, të Kodit Civil, të regjistruar ose të paregjistruar në regjistrin hipotekar;
b. Deklaratat noteriale të pronarëve të pasurive kufitare, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë, që pretendohet nga kërkuesi;
c. Planvendosjen/genplanin e pasurisë (i njëjtë me atë, që i bashkëlidhet deklaratave noteriale apo konfirmimeve të entit shtetëror);
ç) Dokumentacion nga arkivi teknik i ndërtimit, që pasqyron hartografisht gjendjen e pasurisë, që pretendohet;
d) Mandatpagesën e shpenzimeve të regjistrimit (tarifa, taksa, shpenzime të tjera, nëse ka të tilla).
8. Kur në kufi të pronës, për të cilën është paraqitur kërkesë regjistrimi janë prona shtetërore si rrugë, rrugica, sheshe publike, lulishte, ndërtesa publike etj., deklarata noteriale zëvendësohet nga konfirmimi zyrtar, i dhënë nga bashkia/njësia bashkiake apo komuna përkatëse, e cila është pronare apo administron pronën shtetërore, pavarësisht faktit, nëse bashkia apo komuna është e regjistruar si pronare apo administratore e pasurisë në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
Në rastin kur pasuritë publike, kufitare me pasurinë për të cilën është paraqitur kërkesa për regjistrim, janë të regjistruara në zyrën e regjistrimit, në emër të një enti tjetër shtetëror, të ndryshëm nga bashkia apo komuna, konfirmimi duhet të bëhet nga titullari apo personi i autorizuar nga ky ent.

Kur kufitari s'ka letra
Kur në kufi të pronës janë prona të individëve, persona, fizikë apo juridikë, privatë a shtetërorë, të cilët nuk e kanë të regjistruar pasurinë në ZRPP, deklarata noteriale e pronarit kufitar do të zëvendësohet nga një deklaratë noteriale, e bërë nga këta persona, në cilësinë e poseduesit të pasurive kufitare. Në këtë rast, përveç deklaratës noteriale të poseduesit të pasurisë kufitare, ZRPP procedon edhe me shpalljen e genplanit apo të planvendosjes së pasurisë, sipas procedurës së parashikuar në pikën 10, të këtij vendimi.

Kur nuk regjistrohet prona
Në rast se pronari kufitar, brenda afatit prej 45 ditësh, paraqet në ZRPP ankesë apo pretendim të argumentuar e të mbështetur në dokumente ligjore për kufijtë e pasurisë, për të cilën kërkohet të bëhet regjistrimi, regjistruesi refuzon regjistrimin. Në rast se nga pronari kufitar e nuk paraqitet atë pranë në ZRPP, regjistruesi, brenda 5 ditëve pune nga data e përfundimit të afatit të mësipërm, harton, në dy kopje, një kopje e procesverbalit depozitohet në arkivin e ZRPP-së,
ndërsa kopja tjetër administrohet në dosjen e kërkuesit të regjistrimit të pronës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›