E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushatat elektorale “Berisha” dhe “Rama”

Eduard Zaloshnja 

Fushatat elektorale të dy rivalëve kryesorë të politikës shqiptare, Kryeministrit Berisha dhe pretendentit për Kryeministër Rama, po i ngjajnë gjithnjë e më tepër fushatave elektorale të kandidatëve presidencialë amerikanë. Duke filluar nga gjatësia e tyre - Rama e ka filluar që vjet në vjeshtë e Berisha këtë pranverë - dhe duke mbaruar tek koreografia e studiuar e takimeve elektorale. Dhe ky ngjasim nuk është i rastësishëm - të dy këta rivalë kanë kohë që kanë përdorur konsulencën e firmave të njohura amerikane në fushën e strategjive politike. Duke qenë në pozicione të ndryshme, njëri në fron e tjetri pretendent për hipjen në të, fushatat e secilit kanë ...formate të ndryshme, por në thelb synojnë të njëjtin objektiv: solidifimin e elektoratit respektiv dhe joshjen e votuesve të lëkundur. Kështu, Berisha kryen takime të tipit tradicional elektoral me përkrahësit e vet, në të cilat fillimisht rendit sukseset e qeverisë së tij në rang kombëtar, e pastaj numëron arritjet në nivelin lokal. Çfarë efekti kanë këto takime? Nga marrja pjesë në një nga këto takime (në teatrin "Çajupi" të Korçës), vura re një ekzaltim të dëgjuesve sa herë që dëgjonin statistika të cituara me një dramacitet efiçent nga Berisha. Dhe mendja ta do se ata i përdorin disa prej statistikave të Berishës në kafenenë e tyre të preferuar, ku bisedojnë me përkrahës të tjerë të PD-së apo me votues të lëkundur. 
Sipas Grid Rrojit, Drejtorit të Informacionit dhe Marrëdhënieve Publike në Kryeministri, takime si i Korçës do përsëriten qytet më qytet e fshat më fshat deri në zgjedhjet e ardhshme. Pra, i bie që përkrahësit e Berishës anekënd Shqipërisë, nëpërmjet statistikave që dëgjojnë në këto takime, do mundohen t'i mbushin mendjen vetes dhe të tjerëve se janë më mirë sot se sa ç'ishin para ardhjes së Berishës në fuqi. Dhe në qoftë se e realizon këtë objektiv turneu i Kryeministrit, do i ngjajë turneut të një presidenti amerikan të suksesshëm, Ronald Reganit, i cili e bazoi rizgjedhjen e tij në pyetjen e thjeshtë "A jeni më mirë sot se sa 4 vjet më parë?" Nëse votuesit janë faktikisht më mirë apo jo, pak rëndësi ka nga këndvështrimi i fushatave elektorale. Sepse fushatat elektorale, me përkufizim, kanë si synim të ndryshojnë perceptimet, jo realitetin.
Me objektiv të njëjtë - solidifimin e elektoratit të vet dhe joshjen e votuesve të lëkundur - Rama po mundohet që, nëpërmjet turneut të tij elektoral, t'i mbushë mendjen votuesve se ata nuk janë sot më mirë se ç'ishin përpara se Berisha të vinte në fuqi.  Dhe duke ndjekur shembullin e një presidenti tjetër të suksesshëm amerikan, Bill Klintonit, ai po luan rolin e udhëheqësit të përunjur, i cili dëgjon me vëmendje sugjerimet e votuesve për gjetjen e rrugëve sesi të përmirësohet gjendja. Por ndryshe nga Klintoni, madje ndryshe edhe nga Berisha, atij i duhet të përballet me faktin se elektorati i tij është i përçarë midis partisë mëmë dhe partisë bijë të Metës. Dhe partia bijë mund t'i prishë jo pak punë partisë mëmë në disa qarqe të vendit.
A do arrijë Rama që, nëpërmjet fushatës së tij elektorale, të mbledhë në një front të vetëm shumicën dërrmuese të elektoratit të majtë dhe një pjesë të ndjeshme të atij të lëkundur? Nga një sondazh i nivelit kombëtar që kam patur fatin ta dizenjoj, ekzekutoj dhe analizoj, më rezulton se përkrahësit e PS-së përbëjnë vetëm 38.6% të atyre shqiptarëve që janë të vendosur të shkojnë në kutitë e votimit. Ndërkohë, 8.7% janë përkrahës të vendosur të LSI-së. Dhe në qarqe si Berati, Fieri, Elbasani e Durrësi, kjo përqindje është akoma më e lartë. Gjë që do të thotë se Rama do e ketë betejën më të madhe me Metën sesa me Berishën...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›