E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protokolli, Shqipëria një hap nga NATO

 

Pa u bërë ende 100 ditë nga marrja e ftesës në NATO, Shqipëria dhe Kroacia firmosin protokollin e anëtarësimit në Aleancë. Ky dokument, më i rëndësishmi, pas disa raunde negociatash mes qeverive të dy vendeve dhe NATO-s, i hap rrugën procesit të ratifikimit në Parlament të dokumentit, i cili pason hyrjen e dy vendeve të Ballkanit në Aleancë me të drejta të plota. Firma mbi dokument u hodh rreth orës 11:00 të paradites nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe ministrat e jashtëm të dy vendeve, Shqipërisë dhe Kroacisë. Scheffer e vlerësoi firmosjen e protokollit të anëtarësimit të rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë dhe Kroacinë, por për të gjithë Aleancën. "Kjo është sigurisht një arritje historike, jo vetëm për këto vende, por për të gjithë komunitetit atlantik, Shqipëria dhe Kroacia i janë përkushtuar këtij synimi. Shqipëria dhe Kroacia kanë zbatuar reforma të mrekullueshme ekonomike e politike dhe meritojnë anëtarësimin", theksoi Scheffer. Duke folur në mbledhjen e ambasadorëve, zyrtari i lartë i NATO-s tha se, "sot është një ditë e mirë për NATO-n, është një ditë feste dhe është një ditë e mirë për Shqipërinë dhe Kroacinë. Është një ditë e mirë për të gjithë komunitetin euro-atlantik. Me nënshkrimin e protokollove të anëtarësimit, ne ndërmorëm një hap madhor drejt zgjerimit të familjes euro-atlantike të kombeve demokratike, që është NATO", u shpreh Scheffer. Gjithsesi, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, anëtarësimi në Aleancë nuk duhet kuptuar si ngecje e reformave. "Por e rëndësishme të kuptohet është edhe që anëtarësimi në familje nuk do të thotë se atëherë papritur gjithçka ndalet dhe që ju mund të ndaloni të reformoheni dhe të ndaloni t'i kushtoni vëmendje reformave dhe gjërave që qeveria dhe populli juaj i kanë kushtuar deri më tani. Mbi të gjitha reformat ju nuk është se i bëni sepse kështu dëshiron NATO, por sepse ju mendoni dhe ky ka qenë gjithnjë qëndrimi i qeverisë shqiptare, që kjo është në interesin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Pra, ky proces do të vazhdojë, por duke qenë një anëtar i kësaj familjeje demokratike trans-atlantike", tha Scheffer gjatë një intervistë për "Alsat". Gjatë mbledhjes së djeshme, kreu i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, vuri theksin te reformat e ndërmarra nga qeveria gjatë këtyre viteve. "Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në të gjitha reformat e saj. Ajo ka forcuar institucionet e saj demokratike dhe ka konsoliduar shtetin ligjor. Ekonomia shqiptare gëzon një rritje nga më të shpejtat në rajon, me potenciale të mëdha për të ardhmen. Klima e biznesit është mjaft e favorshme dhe gjithnjë e më tërheqëse për investitorët e huaj. Reformat elektorale dhe juridike po zhvillohen shpejt, me një mbështetje të madhe të konsensusit politik". Sipas tij, "me Shqipërinë dhe Kroacinë, tërësisht në rrugën për anëtarësim të plotë në NATO, rajoni ynë është bërë më i sigurt se kurrë më parë. Vazhdimësia e politikës së dyerve të hapura të NATO-s, përcjell një mesazh të fuqishëm inkurajimi për reformatorët në vendet e tjera të rajonit, të cilët, shpresojmë t'i mirëpresim së shpejti në gjirin tonë". Ndërsa kreu i diplomacisë kroate, Gordan Jandrokovic, tha gjatë deklaratës së përbashkët me homologun shqiptar dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, se "zgjerimi i NATO-s do të rrisë kapacitetin e saj dhe në një kohë forcimin e sigurisë së Evropës Juglindore nga shumë pikëpamje. Ky është një hap, i cili kontribuon në forcimin e strukturave atlantike". Sipas procedurës për anëtarësimin me të drejta të plota në NATO, protokollet e aderimit të Shqipërisë dhe Kroacisë duhet të ratifikohen nga parlamentet e 26 vendeve anëtare, kurse instrumentet e ratifikimit duhet të depozitohen në Departamentin Amerikan të Shtetit, që është depozitues i Traktatit të Atlantikut të Veriut. Deri në atë periudhë, Shqipëria dhe Kroacia do të marrin pjesë në mbledhjet e Aleancës, por pa të drejtë vote dhe do të përfitojnë asistencë nga Aleanca për reformat që i presin.   A.Sh

Berisha: Firma besim ndaj Shqipërisë

Kryeministri Berisha tha dje në mbledhjen e qeverisë se firmosja e Protokollit të Anëtarësimit në NATO tregon besimin që ka Aleanca te Shqipëria. "Dua të falënderoj të gjitha vendet anëtare për firmën që vendosën sot, si një firmë besimi të madh ndaj Shqipërisë, qeverisë dhe shoqërisë shqiptare dhe t'i garantoj se qeveria që unë kryesoj e konsideron këtë firmë si një përgjegjësi të re, të madhe për të zbatuar të gjitha standardet, kriteret dhe normat e vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar kjo Aleancë", u shpreh Kryeministri Berisha. Sipas tij, "ky është një rast për të shprehur edhe një herë mirënjohjen time më të thellë ndaj Aleancës së Atlantikut të Veriut, Sekretarit të Përgjithshëm, Scheffer, vendeve anëtare të saj, në veçanti Presidentit George Ë. Bush, i cili erdhi në Tiranë më 10 qershor të vitit të kaluar, me mesazhin e madh për shqiptarët për mbështetjen e tij dhe të vendit të tij të madh për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Topi e Topalli: Kjo, ditë e shënuar për Shqipërinë

Presidenti Bamir Topi dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përshëndetën  dje nënshkrimin e Protokollit të Pranimit të Shqipërisë në NATO. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përshëndeti nga Bosnja firmosjen e protokollit. Ajo ndodhet për një vizitë dyditore për të takuar ekipin ushtarak shqiptar të çminimit. "Një pjesë e madhe e meritës për firmosjen e Protokollit të Anëtarësimit në NATO u takon trupave tona ushtarake kudo që ndodhen. Nëse ne po progresojmë në drejtim të BE-se, është meritë e trupave tona që vijnë dhe bashkëpunojnë me trupat e EUFOR, siç është edhe rasti në fjalë. Ndaj edhe për këtë ju jemi mirënjohës. Dua t'ju falënderoj jo vetëm në emër të delegacionit, por të gjithë Parlamentit", tha Kryetarja e Kuvendit. Presidenti i Republikës, Bamir Topi nënshkrimin e djeshëm në Bruksel e ka konsideruar atë si hapin institucional që Shqipëria po bën drejt anëtarësimit të plotë të saj në Aleancën e Atlantikut të Veriut. "Dita e sotme për Shqipërinë është një ditë e madhe, por edhe një ditë angazhimesh institucionale ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë të cilët na besuan ne përgjegjësitë, jo vetëm kombëtare, por edhe globale. Duhet që të gjithë ne, të punojmë së bashku më shumë, për demokracinë, për shtetin ligjor, për një shoqëri të së drejtës, për një Shqipëri të denjë në mënyrë që kjo rrugë të përmbyllet me sukses", deklaroi Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›