E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyndje fëmijësh tek pediatria

Ulja e temperaturave ka bërë që çdo ditë nga 150 fëmijë të paraqiten në pavijonin e pediatrisë, me simptoma të virozës gripale

TIRANË - Ulja e menjëhershme e temperaturave gjatë këtij dhjetëditëshi të fundit të vjeshtës së tretë ka ndikuar jo pak në shëndetin e njerëzve. Kollë, diarre, ngritje të temperaturës dhe dhimbje koke, këto janë shenjat që kanë paraqitur të sëmurët që janë paraqitur në spital këto ditë. Sipas mjekëve, këto janë shenja të dukshme të virozës gripale që kanë ndodhur për shkak të ndryshimit të menjëhershëm të motit dhe janë karakteristike për çdo stinë të ftohtë. Më të prekurit nga kjo virozë kanë qenë fëmijët, organizmi i të cilëve është më i ndjeshëm se i atyre të rriturve ndaj temperaturave dhe, si rrjedhojë, më shpejt i prekshëm nga sëmundjet e stinës. Sipas mjekëve të pavijonit të pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ky pavijon ka qenë më i mbipopulluari këto ditë, si pasojë e kësaj gjendjeje gripale. Mjekët u shprehën se numri i fëmijëve që paraqiten në urgjencë me simptoma të kësaj viroze është 100 deri në 150 në ditë. Ata shprehën gjithashtu edhe shqetësimin, se pavijoni i pediatrisë po mbipopullohet çdo ditë e më shumë dhe nuk ka më vende për të sëmurët e tjerë, të cilët paraqiten në spital të prekur nga viroza gripale. “Numri i të sëmurëve po vjen çdo ditë në rritje dhe e ka tejkaluar kapacitetin që ka pavijoni i pediatrisë. Ne kemi qenë të detyruar t’i vëmë fëmijët nganjëherë edhe nga pesë deri gjashtë vetë për dhomë, për shkak të mbipopullimit në këtë pavijon”, u shpreh njëri nga mjekët e pediatrisë. Mjekët e këtij pavijoni shtuan se, një problem tjetër ka qenë ai i shtretërve, pasi është e vështirë të gjesh një të lirë, për shkak të urgjencave të shumta që ka pasur këto ditë. Lidhur me simptomat që kanë paraqitur fëmijët e prekur nga viroza gripale, mjekët shprehen se ato kanë qenë kryesisht diarre, temperatura të larta dhe të vjella. Mjekët pediatër sqaruan se “këto janë simptoma karakteristike të virozave të stinës së dimrit, dhe kryesisht të vegjlit që kanë ardhur të prekur nga kjo virozë janë të moshës 0 deri në 6 vjeç”. Duke qenë se këto simptoma janë karakteristike për stinën e ftohtë, mjekët pediatër shpjeguan se kjo dyndje nuk është diçka për t’u shqetësuar. Megjithatë, ata shtuan se duhet pasur kujdes që fëmijët të mos lihen deri në atë shkallë sa temperatura të kalojë masën, pasi mund të paraqesë probleme të tjera për shëndetin e fëmijës. “Ka pasur shumë raste që na janë paraqitur fëmijë, të cilët kishin tri ose katër ditë me temperaturë. Në këto raste, prindërit duhet paraqiten menjëherë tek mjeku dhe jo ta lënë fëmijën që t’i zbresë vetë temperatura, pasi ajo mund të jetë burim i sëmundjeve të tjera nëse lihet të veprojë për shumë kohë”, sqaruan mjekët pediatër. Specialistët shtuan se, gjatë kësaj periudhe, nuk duhet pasur kujdes vetëm për fëmijët, por edhe për personat e moshës së tretë, pasi edhe ata janë të ndjeshëm ndaj virozave gripale. Sipas specialistëve, rreziqet që paraqesin temperaturat e larta nëse neglizhohen dhe nuk merren menjëherë masa për parandalimin e tyre janë ftohjet e shkallëve të rënda, si dhe bronkopneumonia, të cilat janë sëmundje që vazhdojnë gjatë, duke shkaktuar probleme në organizmin e të sëmurëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›