E Diel, 1 Nëntor 2026

Varreza solare

Spanjë, një sistem panelesh diellorë mbi varrezat e qytetit

Në kërkimin për energji, një qytet spanjoll ka gjetur një vend krejt të pazakontë për të prodhuar energji të rinovueshme: varrezat lokale. Qyteti Santa Coloma de Gramanet, pranë Barcelonës, ka vendosur 462 panele diellorë mbi varrezat disakatëshe. Zyrtarët lokalë thonë se skema fillimisht u prit keq nga banorët, por familjet që përdorin varrezat e mbështetën idenë pas një fushate publike mjaft bindëse. Kështu, inxhinierët po planifikojnë të ngrenë më shumë panele sipër varrezave, dhe për rrjedhojë të trefishojnë sasinë e energjisë së prodhuar. Varreza u zgjodh për këtë projekt, pasi është një nga vendet e pakta të hapura ku rreh dielli, në qytetin e mbipopulluar prej 124 mijë banorësh, të vendosur në një sipërfaqe prej vetëm 4 km katrorë. “Kostoja e instalimit shkon në 720 mijë euro, por do të mbajë 62 tonë dioksid karboni larg atmosferës çdo vit”, - tha Esteve Serret, drejtor i kompanisë “Conste-Live Energy”, e cila drejton varrezat dhe punon për energjinë e rinovueshme. “Nderimi më i madh që mund t’u bëjmë paraardhësve tanë, të çfarëdolloj feje qofshin ata, është të prodhojmë energji të pastër për brezat e rinj”, - shtoi ai. Kështu, pas një pune të gjatë, panelet diellorë blu në gri qëndrojnë tani në mauzoleumet që mbajnë 5 kate me varre. Sipas zyrtarëve lokalë, panelet do të krijojnë energji të mjaftueshme çdo vit për të furnizuar nevojat e 60 shtëpive. Panelet janë vendosur në mënyrë të atillë, që të thithin maksimumin e energjisë diellore, por edhe që të mos krijojnë shqetësim për familjarët e të vdekurve, të cilët vizitojnë shpesh varret e të afërmve të tyre. Antoni Forgue, anëtar i Këshillit të Qytetit, tha se reagimi publik ishte mjaft negativ, kur kjo ide u hodh fillimisht tre vjet më parë. “Njerëzit thoshin se ishim të çmendur dhe e quajtën projektin mungesë respekti”, - tha ai për “Associated Press”. Por bashkia e qytetit dhe zyrtarët e varrezave bënë më pas një fushatë për sensibilizimin e opinionit publik, duke u bërë të ditur banorëve përfitimet e mëdha nga ky projekt dhe mënyrën e respektueshme sesi do të ngrihej ai. “Tashmë nuk ka asnjë problem, sepse njerëzit që shkojnë në varreza, e kuptojnë se asgjë nuk ka ndryshuar. Ky projekt është në përputhje me respektin për të vdekurit dhe familjet e tyre”, - shtoi Forgue. Panelet diellorë mbulojnë më pak se 5 për qind të sipërfaqes së përgjithshme të varrezave, ku prehen eshtrat e rreth 57 mijë personave. Por zyrtarët lokalë pohojnë se kanë ndërmend të vendosin edhe panele të tjerë, në përpjekje për të furnizuar edhe më shumë shtëpi. Santa Coloma de Gramanet, dikur lagje periferike e Barcelonës, ka edhe katër parqe të tjerë solarë, kryesisht në tarracat e ndërtesave, por ajo e varrezave është më e madhja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›