E Diel, 1 Nëntor 2026

Dypunësimi i mjekëve shtet-privat legalizohet nga drejtuesit e Shëndetësisë

Dypunësimi i mjekëve në kryeqytet, ka qenë dhe mbetet një ndër problemet më të mprehta për cilësinë shërbimin shëndetësorë dhe për xhepin e pacientëve. Shumë mjekë të QSUT, përveç se paguhen nga shtetit për shërbimin që ata kryejnë në një orar të caktuar, kanë hapur edhe klinikat e tyre private, në të cilat punojnë brenda orarit të shtetit. Këta mjekë, i tërheqin pacientët e tyre nga QSUT, drejt klinikave të tyre, me motivin për një shërbim më cilësorë kundrejt një pagese tepër të lartë. Vetë Ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, e ka legalizuar këtë fenomen korruptiv, duke deklaruar disa kohë më parë, se nuk e ndalon dot dypunësimin e mjekëve. Mjekët që punojnë njëkohësisht, edhe në privat edhe në shtet, cënojnë injorojnë punën e shtetit, duke ndikuar negativisht në shëndetin e qytetarëve. Ky abuzim është i kuptueshëm nga çdo qytetarë, pasi asnjëra nga të dy punët, nuk mund të realizohen normalisht pa cenuar njëra-tjetrën, për shkak të elementit kohë dhe lodhjes fizike. Dhe pse ngurrojnë ta pranojnë këtë gjë, vetë mjekët pohojnë se shkak për këtë fenomen, është paga e ulët që ata marrin kundrejt punës që kryejnë në sektorin shtetërorë. Megjithatë, kur puna private cënon cilësinë e shërbimit në punën shtetërore, kjo është një shkelje e hapur, e cila rëndon më shumë në kurriz të qytetarëve. Ndërkaq, shumë mjekë të punësuar në sektorin shtetëror, jo vetëm që kanë hapur klinika private, por ata punojnë edhe duke dhënë mësim në universitete private, duke e injoruar pacientët dhe detyrën, për të cilën i paguan shteti. Ligji Për kujdesin shëndetësor, e lejon punësimin e dytë, por pa cënuar orarin e plotë në shtet. Ndërkaq, Në shumë pavijone të QSUT, konstatohet mungesa e mjekëve nëpër klinika brenda orarit të punës, ku këta të fundit punojnë në klinikat e tyre apo japin mësim nëpër universitet private. Ushtrimi i veprimtarisë private brenda orarit të rregullt të punës në shtet, shfaqet edhe në mungesën e mjekëve roje, si në pavijonin e sëmundjeve e sëmundjeve të zemrës, pediatrisë etj. Së fundmi, shërbimi shëndetësorë për qytetarin në klinikat private është i papërballueshëm, një skaner për të zbuluar sëmundje të ndryshme, kushton nga 8-27 mijë lekë, ndërsa në shtet, këtë shërbim qytetari e merr falas.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›