E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Vlorës-Clausthalit, 25 të rinj me studime në Gjermani

Një marrëveshje e nënshkruar midis rektoratit të Universitetit të Vlorës dhe përfaqësuesve të Universitetit të Clausthalit në Gjermani do ti japë mundësinë 25 studentëve të studiojnë në Gjermani, duke përfituar kështu diplomën e këtij universiteti. Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, 25 studentë të Universitetit Ismail Qemali të Vlorës do të shkojnë për studime në Gjermani, në fillim të vitit të ardhshëm akademik. Janë 25 studentë, të cilët do të ndjekin studimet në Universitetin e Clausthal, në degët e Kimisë dhe Shkencat Materiale. Studentët do të përzgjidhen mes atyre me rezultate më të mira dhe do ti nënshtrohen një kursi intensiv të mësimit të gjuhës gjermane, që do të vazhdojë edhe gjatë muajve të verës. Kalimi i këtij testi, do të jetë edhe një kusht kryesor për studentët që do të përfshihen në grupin e mësipërm, të cilët do të vlerësohen nga një grup pedagogësh gjermanë, të cilët do të mbërrijnë në muajt e ardhshëm në Vlorë. Marrëveshja parashikon gjithashtu që në vitin e parë, universiteti gjerman do të mbulojë të gjitha shpenzimet financiare të studentëve vlonjatë, ndërkohë që vitet pasardhëse kjo do të realizohet bashkërisht. Tarifa e pagesës për të qenë student në këtë universitet është rreth 700 euro për çdo semestër, vlerë kjo që për shqiptarët që do të shkojnë dhe do të përfitojnë nga kjo marrëveshje do të mbulohet nga rektorati I UV-së, që sipas rektorit Tanush Shaska, studentëve do tu jepet edhe stimul financiar nga UV-ja. Studentët e mësipërm, përbëjnë edhe kontingjentin e parë, që do të pasohet nga të tjerë në vitet në vijim. Dërgimi i 25 studentëve, në vitin e ardhshëm akademik, është vetëm një nga pikat e marrëveshjes, mes dy institucioneve homologe të arsimit të lartë. Pjesë e saj, do të jetë edhe bashkëpunimi në drejtime të tjera, si shkëmbim përvojash e programesh, kualifikim pedagogësh etj. Në ceremoninë e zhvilluar në mjediset e Universitetit të Vlorës,  Rektori, I Universitetit të Vlorës Tanush Shaska dhe Drejtori i Institutit të Kimisë Inorganike dhe Analitike në Universitetin e  Clausthalit Arnold Adams, nënvizuan se, marrëveshja parashikon zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen, duke përfshirë edhe fusha të tjera të nivelit akademik. Shaska, nga ana e tij, theksoi se, krahas marrëveshjes, Universiteti i Vlorës, është në përfundim të procedurave për të institucionalizuar bashkëpunimin me universitete të tjera, mes të cilëve ai i Birmingamit (Angli), American University (SHBA), Universiteti i Janinës etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›