E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyrmishi del hapur: Do rikthej Tomorin



Skuadra e Tomorit vazhdon përgatitjet e saj në Maqedoni, ku ndodhen prej tri ditësh. Nën drejtimin e trajnerit Ilir Gjyla beratasit po stërviten me një plan të detajuar. Presidenti i ekipit, Ali Dyrmishi, gjatë një prononcimi për “Panorama Sport” del hapur, teksa shprehet se Tomori i tij do pretendojë ngjitjen në Kategorinë Superiore. “Beratasit do të synojnë ngjitjen në kategorinë e më të mirave, Superioren, ndaj Tomorit do t’i duhet të punojë shumë për të arritur objektivin. Trajneri Ilir Gjyla dhe dy ndihmësit e tij po punojnë intensivisht për të ndërtuar një Tomor dinjitoz në Kategorinë e Parë. Ndërkohë që futbollistët po punojnë me një disiplinë të lartë në dy seancat stërvitore, atë të paradites e të pasdites”, - tha presidenti. Kujtojmë se lojtarët, të cilët po stërviten në Maqedoni nga stafi teknik dhe që do përballojnë sezonin e ri janë: Bubeqi, Pustina, Xhixha, Allamani, Koreshi, Hasalla, Hasani, Topi, Taullahu, Bistri, Zholi, Mërtiri, Laminica, Fani etj. Të pranishëm janë edhe portieri Bledar Duraj, sulmuesi Klodian Arbri dhe Gersi Arbri. “Stërvitja është ndarë në tri etapa dhe secila drejtohet nga një trajner. E para është ajo e përgatitjes fizike, ku kryhen vrapime të gjata e të shkurtra, kërcim së gjati, së larti etj. Etapa e dytë është ajo teknike, ku punohet me topin, krosime, pasime, gjuajtja e 11 metërshave dhe e treta merret me përgatitjen e portierëve, që kanë një plan tjetër të detajuar”, - përfundoi njëshi i beratasve. K. Gozhina

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›