E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te Partizani, largime edhe në staf



Te Partizani nuk janë vetëm lojtarët që po bëjnë “gati” valixhet, pasi edhe te stafi teknik ka largime. Mësohet se dy ndihmëstrajnerët e Neptun Bajkos, Ylli Shehu dhe Shahin Beberi, janë larguar nga të kuqtë, për të marrë drejtimin e Kukësit. Ky fakt të fut frikën, pasi do të thotë që zgjidhja e problemeve nuk është në rrugë të mbarë. Me pak fjalë, tani Bajko ka mbetur i vetëm dhe pa ndihmesat e tij, që për gati një muaj kanë dhënë një ndihmë të pamohueshme për zhvillimin e përgatitjeve. Sesi do t’i vejë hall Partizanit, kjo ende nuk dihet. Kujtojmë që në historinë e këtij klubi, kurrë nuk ka ndodhur që punët të shkojnë deri në këtë gjendje. Këtë sezon të gjithë lojtarët që janë afruar, po stërviten vetëm për të mbajtur trupin në formë dhe gjithashtu qëndrojnë me shpresën se diçka e mirë do të dalë nga ky ekip. Grupin aktual mund ta përkufizosh vetëm si ansambël stërvitor dhe jo si një skuadër e sezonit të ri futbollistik. Partizanit mund t’i vësh çdolloj emri, por vetëm ekip nuk mund ta quash. Në rast se Partizani do të përfaqësohet vetëm me të rinj, do të jetë tepër e vështirë që të përballohet sezoni i ri, që pritet të jetë tepër i fortë dhe me shumë konkurrencë. Megjithatë, sesi do të zgjidhet çështja “Partizani”, kjo mbetet për t’u parë, pasi surprizat po shtohen dita-ditës. Pavarësisht dëshirës së stafit teknik dhe lojtarëve që po stërviten prej një periudhe njëmujore, ky Partizan nuk premton asgjë. Partizani i këtij sezoni duket se do ta startojë kampionatin me një ekip më të dobët se një vit më parë. Në mungesë të terreneve, skuadra vijon përgatitjet atletike nga Kodrat e Liqenit. Ky ekip i ngjan një hani të vërtetë, pasi grupi ndryshon çdo ditë, ca ikin e ca vijnë dhe dihet që shkak për këtë situatë janë vetëm mungesa e financave. Nëse do të kishte parà gjithçka do të ishte ndryshe, sepse edhe vetë lojtarët nuk do të vinin vetëm për të mbajtur trupin në formë, pasi do ta kishin për nder të vishnin fanellën e kuqe të “demave”. Stafi teknik përgatit një numër të konsiderueshëm lojtarësh, por të gjithë janë të lirë dhe, nëse u del një ofertë e kënaqshme, janë gati që të lëvizin, por vetëm nëse do të kenë garanci financiere.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›