Tre kroatë bindin te Laçi, gati firmat
Miqësorja e mesjavës me Tiranën duket se ka shërbyer për t’i dhënë imazhin e ri Laçit të edicionit të ardhshëm. Në këtë test, stafi teknik i bardhezinjve mësohet se ka përpiluar listën përfundimtare të atyre që do të mund të ingranohen në sezonin e ri. Natyrisht, një lajm i mirë për tifozërinë e shumtë të skuadrës laçiane është fakti se të tre futbollistët kroatë janë pëlqyer nga trajneri Stavri Nica dhe tashmë duket se janë shumë pranë firmës. Bëhet fjalë për mbrojtësit Silvio çavriç e Stipe Buljan, gjithashtu mesfushorin Odrag Karaxhiç. Edhe pse Laçi ka humbur 1-2 kundër Tiranës, kreu i pankinës tha fjalët më të mira për kontingjentin e ri, që sipas tij është i aftë të përballojë me sukses kampionatin. Mendohet se dy ekstremet, porta dhe sulmi, të konsideruara si më delikatet e këtij grupi të ri, do të përforcohen. Merkatoja pritet të vazhdojë deri në momentet e fundit, në mënyrë që skuadra të jetë e kompletuar në çdo repart. Mbrëmë është përfolur edhe përfshirja e mbrojtësit Andrelis Pashaji, i cili ka luajtur me Partizanin në sezonin e kaluar. Bërja zyrtare nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së se formula e edicionit 2011-2012 do të jetë me 14 skuadra, mund t’i shtyjë laçianët të jenë të kujdesshëm në përzgjedhjet eventuale që pritet të bëjnë. Nga ana tjetër, Nica nuk ka dilema. Ai thotë se grupi aktual është i barabartë me atë të edicionit të kaluar, duke dhënë idenë se skuadra nuk do të ketë as më të voglin shqetësim.
Programi – Edhe në stërvitjen e djeshme, stafi teknik ka vazhduar me ngarkesa. Grupi i futbollistëve është marrë me ushtrimet e karakterit fizik. Edhe nesër ata do të vijohet me këtë ritëm, ndërsa të hënën gjithçka do të ulet. “Laçi është i prirur të stërvitet me kapacitet të plotë deri në fundjavë. Vetëm të hënën, programi do të ndryshojë disi. Kemi kontingjentin e duhur për të përballuar me sukses kundërshtarët. Kam besim se çunat janë të zotë për të bërë më të mirën në sezonin e ri”, - ka thënë shkurtimisht për “Panorama Sport” trajneri i bardhezinjve. Ardi Hasani