E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dyshat e PD-PS-së zyrtarizojnë garën zgjedhore në Durrës

21/04/2005  Ruçi e Topi

Dy partitë më të mëdha në vend, PS dhe PD, i janë drejtuar dje Durrësit për të bërë prezantimin e kandidatëve për deputetë në këtë qytet. Nënkryetari i PD-së, Bamir Topi, në takimin e tij me anëtarësinë e partisë në këtë qytet ka bërë të ditur emrin e Genc Jukës, si kandidat në zonën e Kënetës. Juka aktualisht është anëtar i KOP, dhe pritet që në këtë zonë të ketë përballë socialistin Sokol Kokomani. Topi u shpreh i sigurt në fitoren e opozitës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Populli si në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë është mëse i bindur se socialistët dhe qeverisja e tyre është e korruptuar. PD është e vendosur të afrojë kandidatët më të mirë për t’i përfaqësuar në parlament”, tha Topi. Nga ana tjetër, nënkryetari i PD-së i kërkoi anëtarësisë së bazës që të bëjë kujdes me listat e zgjedhësve, që të mos përsëriten manipulimet e vitit 2001. Ndërkohë, Durrësin e ka vizituar dje edhe sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Gramoz Ruçi. Takimin me anëtarësinë e bazës numri dy i PS-së ka preferuar ta zhvillojë me dyer të mbyllura, ndërkohë që pas përfundimit të mbledhjes, kryetari i PS-së së Durrësit, Gazmir Bizhga, ka dhënë disa nga emrat e bërë prezent dje si kandidatura të PS-së në qytetin bregdetar. Bizhga ka deklaruar se në Durrës do të kandidojnë Emin Barçi, Gjergj Koja, Gazmir Bizhga, Sokol Kokomani, Agron Duka dhe Lulzim Traga. Vetë kryetari Bizhga do të kandidojë në zonën numër 27, ku pritet të ketë përballë Ferdinant Xhaferrin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›