E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tirana shkatërron ëndrrën shkodrane

21/04/2005  Partizani shënon një fitore që nuk mjafton, ndërsa kuqeblutë zhgënjejnë në sytë e tifozëve të tyre pasi janë mundur 1-3

Tirana-Teuta, finalja e Kupës

VLLAZNIA - TIRANA 1-3

Vllaznia: Shehi, Lici, Kraja, Teli, Junior, Gjokoviç, Ahi(Hoti 64’), Doçi, Belisha, Sinani, Abilio. Trajner: Agim Medja.

Tirana: Nallbani, Sina, Dabulla, Pape Sene, Tafaj, E.Bulku, Muka (Hajdari 71’), Agolli(F.Xhafaj 46’), Rraklli(Merkoçi 73’), Bakalli, Patushi.Trajner: Sulejman Starova.

Shënues: Abilio 39’ (p), /Rraklli 49’, Patushi 68, Pape Sene 74’.

Kartona të verdhë: Gjokoviç, Junior/Muka, Pape Sene.

Gjyqtarë: A.Lulaj (Vlorë), Agim Guçe (Lushnjë), Alfred Lamçe (Patos).

I vetmi shans për skuadrën e Vllaznisë, për të marrë pjesë në Kupat e Evropës kishte mbetur fitimi i trofeut të Kupës së Shqipërisë. Por tashmë, edhe ky shans ka humbur, që prej ditës së mërkurë. Ka qenë skuadra e Tiranës që i ka dhënë fund një ëndrre të tillë të shkodranëve, duke i mundur ata, brenda në “Loro Boriçi”, me rezultatin e paparashikuar 1- 3. Takimi i kthimit për gjysmëfinalen e kupës, në këtë edicion pritej me interes shumë të madh nga të gjithë, për vetë objektivat që kishin këto dy skuadra, Tirana e Vllaznia, por edhe për emocionet e shumta që kanë dhënë vazhdimisht përballjet në mes tyre. Gjithashtu, ky takim pritej me shumë interes edhe për faktin tjetër, të vërtetësisë së hipotezave të hedhura në shtyp, për trukim të ndeshjes nga ana e drejtuesve të dy ekipeve, fakt ky, që u vërtetua shumë mirë me mbarimin e këtij takimi. Ndeshja e luajtur në “Loro Boriçi”, duhet thënë se kishte dy tablo. Eshtë parë një Vllazni shumë agresive dhe potente në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë ka ndodhur e kundërta, pasi në fushën e lojës dikton vetëm Tirana, e cila duket se ishte zgjuar nga gjumi. Megjithatë, fillimi i pjesës së parë flet për vendasit, që kërkojnë t’i imponojnë me çdo kusht, lojën e vet kundërshtarit. Vllaznia ushtron presion në 15-minutat e para, ndërsa Tirana mbrohet fort. Pas këtyre minutave, miqtë nga kryeqyteti fillojnë të ekuilibrojnë lojën, duke sulmuar rrezikshëm portën e Shehit. Por, Vllaznia nuk heq dorë nga sulmet e saj, pavarësisht se shpeshherë është mjaft konfuze para portës së Nallbanit. Gjithsesi, pjesa e parë luhet nën ritmin e kuqebluve, të cilët arrijnë të kalojnë në avantazh në minutën e 39, me anë të një penalltie të ekzekutuar me mjeshtëri nga Abilio. Pjesa e dytë ka tjetër melodi. Skuadra e Tiranës ka “vendosur” të kalojë në finale të kupës. Kjo duket edhe nga ndryshimi taktik i lojës së ekipit, kur me fillimin e pjesës së dytë largohet Agolli, në hije gjatë pjesës së parë dhe në fushë hyn një sulmues. Ka hyrë pikërisht F.Xhafaj e kështu Tirana do të luajë me tre sulmues, si mënyra e vetme për të përmbysur rezultatin e takimit në favorin e tyre. Përveç kësaj, edhe pjesa tjetër e skuadrës bardheblu duket se është tjetërsuar nga pjesa e parë, gjë e cila duket edhe në ndryshimin e ritmit të lojës së saj, e cila ka marrë frenat e takimit që në fillimin e pjesës së dytë. Ndërsa, Vllaznisë i duhej bërë më kujdes në këtë fillim pjese, për të mos pësuar gol, por ndodh e kundërta. Ajo luan më e shthurur në lojën e saj, si dhe në rreshtimin para porte, ku nga një rreshtim i tillë i gabuar, pësojnë edhe golin e parë. Vllaznia që kërkon të reagojë, por përsëri çalon në lojën e saj, ka mungesë të harmonizimit të reparteve, por edhe në vendosjen në fushën e lojës. Shkodranët nuk kanë se çfarë të humbin e hidhen në sulm, por Tirana mbrohet mirë e pret të sulmojë rrezikshëm, duke e zënë në befasi mbrojtjen e Vllaznisë. Minuta e 68-të do të jetë fatale për Vllazninë. Tirana, me anë të një kundërsulmi kap në befasi mbrojtjen shkodrane, duke kaluar në avantazh dhe këtu merr fund çdo gjë. Pak më vonë bardheblutë shënojnë edhe golin e tretë, duke i vënë kapak çdo gjëje. Kështu, skuadra e Vllaznisë eliminohet nga kupa, si i vetmi shans që kishte mbetur për shkodranët në këtë sezon, duke shuar çdo shpresë për të luajtur në këtë edicion, në Kupat e Evropës. Ndërsa, Tirana tregoi edhe një herë se mbetet ekipi më i mirë në vendin tonë, e cila synon të dyja trofetë e këtij sezoni.

Thanë pas ndeshjes:

Sulejman Starova, trajner i Tiranës: “Arritëm një fitore, që mendoj se e merituam, pasi tani jemi finalistë të Kupës së Shqipërisë. Sigurisht që rezultati i takimit të parë, ishte minimal dhe kjo krijoi edhe një farë tymnaje, realisht jo të vërtetë. Megjithatë, ne fituam në takimin e dytë, pasi kupa është në objektivat tona. Nuk është e lehtë të fitosh përballë Vllaznisë, e cila e tregoi edhe sot. Ajo luajti një pjesë të parë shumë të mirë. Vllaznia arriti të kalonte në avantazh. Në pjesën e dytë, ne ndryshuam diçka në lojën tonë, duke luajtur me tre sulmues, ku besoj se ia arritëm qëllimit për atë që kërkuam. Duhet theksuar se në pjesën e dytë, skuadra e Vllaznisë u ça në mbrojtje, ku mendoj se gaboi shumë”.

Agim Medja (Trajner i Vllaznisë): Sot kishim shpresuar për një paraqitje shumë më të mirë, në krahasim me ndeshjet e tjera. Por, duke parë se si rrodhën ngjarjet, edhe komentet më duken shumë të tepërta tani. Po ta analizosh hollësisht këtë ndeshje, duhet pranuar se ishte një paraqitje e dobët e Vllaznisë në këtë takim, aq më tepër kur mendon për një objektiv shumë të rëndësishëm, siç ishte kualifikimi për në finale të kupës. Tani, neve na ka mbetur vetëm kampionati, ku shpresojmë të gjejmë forca për të arritur vendin e tretë në kampionat. Për këto javë të mbetura nga kampionati, shpresojmë të bëjmë më të mirën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›