E Hënë, 2 Nëntor 2026

FIFA, Shqipëria në “rënie të lirë”

21/04/2005  Kombëtarja jonë ka humbur dhe një tjetër vend në renditje: Kuqezinjtë pozicionohen në vendin e 89-të, në kuotën e 505 pikëve

Shqipëria ka humbur një pozicion në renditjen e FIFA-s. Dy humbjet e muajit të kaluar, kundër Turqisë 2-0, në Stamboll dhe po me këtë rezultat, kundër Greqisë në Pire, kanë bërë që kuqezinjtë të renditen tashmë në vendin e 89-të në renditje, me 505 pikë. Një rënie e kuqezinjve, e cila është trashëguar edhe nga muajt e mëparshëm. Përparimin më të madh nga kundërshtarët e grupit 2 eliminator të Kupës së Botës, e ka bërë Ukraina, e cila ka rekuperuar katër vende. Ndërsa Greqia është ngjitur në vendin e 12-të në renditje. Për sa i përket kreut, ai mbahet sërish nga Brazili, por me ndryshimin se në vendin e dytë nuk është më Franca, por Çekia. Organizmi më i lartë i futbollit në Botë, ka publikuar dje, renditjen për muajin prill. Dy përballjet e humbura në fund të muajit mars, me dy kundërshtarët ballkanikë, Turqinë dhe Greqinë, kanë bërë që Shqipëria të humbasë një pozicion në renditjen e FIFA-s. Kuqezinjtë, megjithëse kanë zhvilluar 180 minuta të mira nuk kanë mundur të marrin asnjë pikë duke vazhduar të jenë në kuotën e gjashtë pikëve. Pas këtyre dy humbjeve kuqezinjtë kanë mbrapa vetëm Gjeorgjinë dhe Kazakistanin. Përballja e ardhshme e Shqipërisë do të jetë në fillim të qershorit ku do të presë Gjeorgjinë në “Qemal Stafa”, por pa praninë e tifozëve. Përsa i përket kundërshtarëve të tjerë të grupit tonë eleminator edhe këtë herë, ashtu si edhe një muaj më parë, përparimin më të madh e ka bërë Ukraina, e cila është ngjitur katër pozicione dhe tani mban vendin e 42-të me 614 pikë. Gjashtë pikët e marra në dy përballjet kundër Gjeorgjisë dhe Shqipërisë kanë bërë që skuadra e Otto Rehagel, Greqia, të ngjitet dy pozicione dhe tani renditet në vendin e 12-të. Dy pozicione më poshtë është Turqia, e cila në krahasim me një muaj më parë ka rekuperuar një pozicion. Danimarka ka humbur një vend, ndërsa Gjeorgjia ka humbur edhe dy pozicione të tjera. Përsa i përket kreut të renditjes, edhe këtë muaj në vendin e parë vazhdon të jetë Brazili në kuotën e 834 pikë. Por në vendin e dytë nuk është më Franca. Pas vitit 1998, kur “gjelat” u ngjitën në vendin e dytë, këtë herë janë detyruar që këtë vend tia lënë Republikës Çeke, e cila ndodhet në kuotën e 783 pikëve. Poshtë [ekëve renditen argjentinasit dhe pas tyre janë francezët. Nga dy pozicione kanë fituar Hollanda dhe Anglia, ndërkohë që dhjetëshen e parë e mbyll Italia me 735 pikë.

Renditja e FIFA-s

1. Brazil 834 pikë

2. Rep Çeke 783 pikë

3. Argjentina 780 pikë

4. Franca 777 pikë

5. Hollanda 763 pikë

6. Anglia 757 pikë

7. Spanja 755 pikë

8. Meksika 754 pikë

9. Portugalia 741 pikë

10. Italia 735 pikë

----------------------

89. Shqipëria 505 pikë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›