E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ulen 30 % rrogat e anëtarëve të KZZ dhe grupeve të numërimit

21/04/2005  Nga 80 mijë lekë paga e dy muajve do të jetë 550 mijë lekë

KQZ propozon uljen e rrogës që do të kenë anëtarët e Komisioneve Zgjedhore Zonale si dhe të pagës së grupeve të numërimit të votave, për shkak të buxhetit të ulët që i është dhënë. Komisioni ka shtyrë për më 30 maj miratimin e vendimit, ndërsa shprehet se është detyruar që të ulë këto shpërblime. Kjo masë pritet të merret nga KQZ pas vendimit përfundimtar të Këshillit të Ministrave për buxhetin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, që është rreth 40 për qind më i ulët se shifra që kishte kërkuar institucioni i zgjedhjeve. KQZ ka kërkuar rreth 900 milionë lekë, ndërsa ka marrë 550 milionë lekë. Buxheti i ofruar nga qeveria ka detyruar KQZ-në të bëjë dhe uljen e pagave si rruga e vetme për të mos ndikuar te votuesit. Për anëtarët e opozitës në KQZ, kjo ulje është cilësuar e papranueshme, pasi, sipas tyre, fati i dështimit apo sukesit të zgjedhjeve varet pikërisht nga puna e komisionerëve.

Shpërblimet

Në bazë të shkresës së dërguar pranë KQZ-së, nga Kryeministria, thuhet se buxheti i përgatitjes së zgjedhjeve është rreth 550 milionë lekë, ndërkohë që KQZ-ja, në bazë dhe të Kodit të ri të miratuar, kishte kërkuar rreth 900 milionë lekë, të cilat do të përdoreshin për pagat e komisionerëve, për bazën zgjedhore, për investime dhe shërbime të tjera. Shifra e akorduar nga qeveria ka bërë që KQZ të rishohë edhe një herë pagat e komisionerëve që do të mbajnë dhe peshën kryesore të zgjedhjeve. Në bazë të këtyre llogaritjeve, shpërblimi për kryetarin dhe nënkryetarin e KZZ, nga 80 mijë lekë ulet në 60 mijë lekë, pra me rreth 30 për qind. Ulje do të pësojnë edhe shpërblimet e anëtarëve të tjerë të KZZ-ve si anëtarët apo sekretari, të cilët nga 75 mijë lekë do të marrin 55 mijë lekë. Nga ulja e shpëblimit nuk përjashtohen as kryetarët dhe nënkryetarët e grupeve të numërimit të votave, nga 8 mijë lekë që u ishte premtuar do të marrin rreth 5 500 lekë.

Debati

Buxheti i akorduar nga qeveria nuk ka kaluar pa debate mes anëtarëve të KQZ-së. Ferdinant Poni, përfaqësues i PD-së në këtë komision, tha se ulja e fondit për komisionerët rrezikon të risjellë në skenë fenomenin e shitjes së votave për kandidatë të ndryshëm. Këtë argument e hodhi poshtë kreu i KQZ-së, Ilirian Celibashi, i cili tha se komisionerët caktohen nga partitë politike dhe në shumë vende të botës ata janë dhe vullnetarë. "Problemi i shitjes së komisionerëve nuk qëndron te pagat që jep shteti për fushatë. Në shumë vende, si në Angli, komisionerët janë vullnetarë", tha Celibashi. Ndërkohë, anëtari i KQZ-së, Çlirim Gjata, lidhur me këtë problem, u shpreh se zgjedhjet janë evenimenti më i rëndësishëm në këto 15 vitet e fundit dhe si të tilla qeveria duhet të bëjë përpjekjet maksimale për zhvillimin me sukses të tyre dhe jo të merret me inaugurime rrugësh, të cilat në shumë raste prishen pak kohë pas inaugurimit dhe kërkojnë fonde të tjera. Anëtari tjetër i KQZ-së, Dodë Prenga, u shpreh se dy janë çështjet më të rëndësishme për zgjedhjet, fletët e votimit dhe komisionerët. "Nuk ka nevojë të shpenzohen para për reklamat me gishton, por ato para të shkojnë në funksion të çështjes", tha Prenga.

Kryetari dhe zv kryetari i KZZ nga 80.000 ulet në 60.000 lekë

Anëtarët dhe sekretari i KZZ nga 75.000 ulet në 55.000 lekë

Kryetri dhe nënkryetari i KQV nga 4 000 ulet në 3000 lekë

Anëtarët dhe sekretari i KQV nga 3000 ulet në 2500 lekë

Kryetari dhe nënkryetri i grupit të numërimit nga 8 000 lekë ulet në 5500 lekë

Anëtarët dhe sekretari i grupit të numërimit nga 7 000 lekë ulet në 5000 lekë

Dritëro Agolli deputet për dy muaj

Dritëro Agolli do të jetë deputeti më i ri i parlamentit shqiptar pas dorëzimit të mandatit nga Bardhyl Agasi, që do të marrë detyrën e ambasadorit në Danimarkë. Me 6 vota pro dhe asnjë kundër, KQZ vendosi të miratojë kërkesën e Partisë Socialiste drejtuar institucionit të zgjedhjeve, në bazë të së cilës kërkohej që vendi bosh, që do të lërë Agasi, të zëvendësohet nga Dritëro Agolli. Sipas listës së proporcionalit, Agolli është në vendin e tretë pas emrave të Fatos Nanos dhe Ilir Metës, të cilët e kanë fituar mandatin në garë direkte në mazhoritar. Pas dorëheqjes së Agasit, në zonën ku ai është zgjedhur deputet në bazë të kodit zgjedhor nuk mund të zhvillohen votime vetëm dy muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Ndaj, për dy muaj, Agolli do të mbajë mandatin e deputetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›