E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasuria e gjyqtarëve të dekretuar nga Presidenti

Dosja e plotë e depozituar në Komisionin e Ligjeve

Komisioni i Ligjeve do të nisë sot seancën dëgjimore për tre kandidaturat e Presidentit Bamir Topi për Gjykatën e lartë. Për të gjithë kandidatët është përpiluar dosja e plotë mbi të cilën do të zhvillohen seancat dëgjimore dhe brenda kësaj jave do të merret vendimi për miratim ose jo të tyre.

Gazeta “Shqip” zbulon dosjet me materialet shtesë të tre kandidatëve. Mes tyre janë deklarata e pasurisë së tyre, veprimtaria dhe karriera profesionale ndër vite, pyetjet që anëtarët e komisionit të mazhorancës u kanë drejtuar gjyqtarëve dhe përgjigjet e tyre. Seanca e sotme dëgjimore do të fillojë me Medi Bicin, do të pasohet më pas nga Sokol çomo dhe do të përfundojë me Vexhi Muçmatajn. Në seancën e sotme priten diskutime të ashpra mes anëtarëve të komisionit lidhur me kandidaturat, por edhe për mënyrën sesi janë formuluar pyetjet në adresë të tre kandidatëve.

Veprimtaria

Medi Bici ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe është duke kryer masterin e nivelit të dytë në degën “Shkenca administrative”, në një universitet privat në Tiranë. Në vitin 1993-1994 ka punuar si ndihmësgjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për t’u emëruar më pas për 10 vjet si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga viti 2004 dhe në vazhdim ka mbajtur pozicionin e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda Tiranë. Sokol çomo, që prej vitit 2006 dhe në vazhdim ushtron profesionin si avokat dhe është anëtar i Dhomës së Avokatëve Tiranë. Prej 9 vitesh është pedagog i jashtëm pranë Shkollës së Magjistraturës. Nga viti 2000 deri në 2006 ka qenë kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në karrierën e tij, çomo për dy vjet ka qenë zv/ministër i Drejtësisë në vitet 1998-2000. Vexhi Muçmataj, në vitet 1993-1997 ka qenë një prej anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Aktualisht është prokuror në Prokurorinë e Rrethit Tiranë dhe prej vitit 2002-2008 ka qenë drejtues i Prokurorisë së Rrethit Tiranë. Në vitet 1992-1995 ka qenë drejtor i Drejtorisë së Policisë Hetimore dhe nga viti 1987-1990 ka qenë hetues në rrethet Librazhd dhe Vlorë.

Pasuritë e gjyqtarëve

Kandidati më “i varfër” nga tre emrat e dekretuar prej Presidentit Topi për Gjykatën e Lartë është Sokol çomo. Ish-kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë zotëron një apartament banimi me sipërfaqe 95,46 m2, në bashkëpronësi me bashkëshorten, në Tiranë, me vlerë 5 milionë lekë. Në deklaratën e tij të pasurisë është shënuar se burimi i krijimit të kësaj pasurie është vendosur nga kredia që ai ka marrë nga Banka e Kursimeve për zyrtarët e lartë. Më “i pasuri” është Vexhi Muçmataj. Në deklaratën e tij të pasurisë është shënuar se nga shitja e tokës në vitin 2006 ka përfituar 180 mijë euro dhe ka blerë një sipërfaqe të konsiderueshme për ndërtime në vite të ndryshme. Zotëron një apartament në Golem të Durrësit me vlerë 32.046 USD. Përdor një makinë me vlerë 7 mijë dollarë dhe ka një llogari rrjedhëse nga paga, gjendja e së cilës është 543.463 lekë dhe gjendje cash 2.569.152 lekë. Ndërsa të ardhurat vjetore nga paga të kandidatit Medi Bici për Gjykatën e Lartë janë 1.364.359 lekë.

Në deklaratën e tij të pasurisë është shënuar se zotëron “Shtëpi banimi 2-katëshe, ndërtuar në periudhën 1993-1996 me anë të kursimeve familjare dhe ndihmën e vëllezërve emigrantë në Itali, zotëron 50%, vlera 6 milionë lekë. E paregjistruar në Hipotekë”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›