E Diel, 1 Nëntor 2026

Shalsi: Qeveria po mbyt autonominë e pushtetit vendor

Selia rozë Opozita, akuza mazhorancës për shkelje të ligjit: Absurde thirrjet për mospagim taksash

Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë për presion politik ndaj pushtetit vendor. Nënkryetari i grupit parlamentar të saj, Eduard Shalsi, deklaroi dje në një konferencë për shtyp, se veprimet e fundit të qeverisë po synojnë ngushtimin e autonomisë së pushtetit lokal, i përqendruar kryesisht në kufizimin e financave. “Vazhdojmë të jemi të fundit në rajon për sa u përket treguesve që shprehin shkallën e decentralizimit fiskal. Një pjesë e konsiderueshme e grantit të pushtetit vendor për vitin 2010 do të ndahet përsëri sipas oreksit të qeverisë, duke iu shmangur aplikimit të formulës që garanton barazinë dhe ndarje të drejtë midis njësive vendore. Transferta e pakushtëzuar që kanë marrë bashkitë/komunat për vitin 2010, është 20% më pak se ajo e viti 2005”, tha Shalsi. Deklarimi i tij pason disa akte të qeverisë së drejtuar nga Sali Berisha, të cilat manifestojnë ndërhyrje në fushëveprimin e pushtetit vendor. Reagime lidhur me këtë ka pasur edhe nga vetë përfaqësuesit e këtij të fundit, të cilët në emër të shoqatës ku tubohen kanë paralajmëruar veprime të përshkallëzuara nëse presioni i qeverisë do të vijojë. Edhe pse në kohezion me deklarimet e opozitës socialiste duhet thënë se reagimi i të zgjedhurve vendorë socialistë në të vërtetë ka një bazë realiste. Për këtë mjafton deklarata e deputetit demokrat, ish-zv.ministër i Financave, Florion Mima, i cili tri ditë më parë u bëri thirrje publikisht qytetarëve të Tiranës që “të gjithë ata që ende nuk e kanë kryer pagesën, t’i injorojnë njoftim-tatimet ilegale të bashkisë dhe të paguajnë vetëm detyrimin që thotë ligji. Mos harroni! 10 për qind e taksës së biznesit të vogël është detyrimi juaj total për të gjitha taksat dhe tarifat lokale”. Ai i është referuar tejkalimit të normës së detyrimit ligjor që Bashkia e Tiranës kërkon të vjelë duke bërë apel për refuzim të pagesës shtesë mbi normën e detyrueshme. Gjithsesi, një thirrjeje të tillë deputeti socialist Ilir Gjoni i ka bërë një koment politik, që nënvizon rastin në fjalë si precedent. “Vetëm në një vend që drejtohet nga Sali Berisha mundet që qeveria t’u bëjë thirrje qytetarëve të mos paguajnë taksa. Aq më shumë nga një zv.ministër Financash, që duket se nuk ka qenë zv.ministër Financash”, tha Gjoni.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›