Halimi: Aksesi i qytetareve në drejtësi fondamental për klimën e besimit

Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi mes Ministrit së Drejtësisë, nënkryetarit të KLD-së dhe Avokatit të Popullit, “Inspektime të përbashkëta për ankesat e qytetarëve”
Dje në Këshillin e Lartë të Drejtësisë u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi mes nënkryetarit të KLD-së, Elvis Cefa, Ministrit të Drejtësisë Eduard Halimi dhe Avokatit të Popullit Igli Totozani, për verifikimin e ankesave të qytetareve ndaj gjyqësorit dhe marrjen e masave në kohë për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Siç edhe përcaktohen edhe në tekstin e memorandumit, shtetasit shqiptarë do të kenë mundësinë të jenë më të sigurt ndaj veprimeve arbitrare të sistemit te drejtësisë, për të garantuar të drejtën e tyre për aksesin në drejtësi, për të siguruar transparencën dhe ligjshmërinë e veprimtarisë të sistemit gjyqësor, si dhe për mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshëm të individit nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike.
Në memorandum parashikohet krijimi i grupeve të punës që kryejnë inspektime të përbashkëta, në mënyrë që të krijohet një sistem parandalimi funksional të rasteve abuzuese dhe të arrihet mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit, sipas standardeve evropiane.
Në fjalën e tij mbajtur me këtë rast ministri i Drejtësisë Eduard Halimi theksoi se, “Aksesi i qytetareve në sistemin e drejtësisë është fondamental për krijimin e klimës së besimit”.
Ministri u shpreh se nënshkrimi i këtij memorandumi është shprehje e “vullnetin për ndëshkimin e të gjithë funksionarë të drejtësisë të cilët shkelin ligjin, ne dem te qytetareve”.
Si nënkryetari i KLD-së , Elvis Cefa edhe Avokatit të Popullit Igli Totozani, theksuan në fjalën e tyre rolin e këtij bashkëpunimi për të luftuar në mënyrë efektive problemet që ndeshin qytetarët përballë sistemit të drejtësisë.