“Hetimi për 21 janarin vazhdon, institucionet të mos komentojnë vendimet e gjykatave”
KLD, Avokati i Popullit dhe Ministri i Drejtësisë, të njëjtin qëndrim për 21 janarin
Vendimi i marrë nga gjykata e Tiranës për shpalljen të pafajshëm të dy gardistëve për ngjarjet e 21 janarit është në qendër të debateve që prej 7 shkurtit.
Politika ka qenë e ndarë në zgjedhjen e saj për të komentuar ose jo vendimin, por 3 institucione kanë pasur qëndrim të përbashkët.
Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Avokati i Popullit kanë zgjedhur të heshtin derisa drejtësia të thotë përfundimisht fjalën e saj.
Debatet që ka shkaktuar vendimi i gjykatës nuk mjaftojnë për të nisur inspektimet.
Zëvendëskryetari i KLD-së e quan të pavend çdo koment apo qëndrim pas vendimit të gjykatës. “Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përfshirë edhe ai i Ministrisë së Drejtësisë, çdo individ apo çdo lloj institucioni tjetër në këtë vend, nuk ka absolutisht asnjë të drejtë ligjore të shprehet apo të gjykojë mbi përmbajtjen e një vendimi gjyqësor, pa kaluar kontrollin gjyqësor, ashtu sikundër Kushtetuta dhe ligjet organike parashikojnë. Është gjykata e shkallës më të lartë ajo që shprehet nëse një vendim i një gjykate më të ulët është ose jo i drejtë”, tha në përgjigje të interesimit të mediave Zëvendëskryetari i KLD-së, Elvis Çefa.
Edhe për Avokatin e Popullit, qytetarët mund të komentojnë vendimin, por institucionet duhet të heshtin. “Çdo qytetar ka të drejtë të ketë mendimin e tij për vendimet e gjykatave, t’i komentojë ose interpretojë ato, por këtë nuk mund ta bëjë një institucion shtetëror”, u shpreh Totozani.
Ndërsa ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi theksoi se “hetimi për 21 janarin vazhdon. Të presim që drejtësia të thotë fjalën e fundit për këtë ngjarje të rëndë”.
Deklaratat, drejtuesit e tre institucioneve i bënë pas nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi përmes të cilit synojnë të përmirësojnë mekanizmat për sinjalizimin, identifikimin, hetimin dhe ndëshkimin e të gjitha rasteve të shkeljeve.