E Diel, 1 Nëntor 2026

“Koalicioni i PS, më i vogël dhe më i dobët se në vitin 2009”

13-02-2013 / Gazeta 55

Flet Kastriot Islami, ish-deputet i PS

Ish-deputeti i PS, Kastriot Islami deklaroi se koalicioni i partive të opozitës të bërë bashkë nga Edi Rama është cilësisht më i dobët se ata të mëparshmit dhe elektoralisht më i vogël se koalicionet e majta më 2009 dhe 2011.
Në një prononcim për mediat, deputeti Kastriot Islami, ekspert i çështjeve zgjedhore theksoi se aleancat janë ende të papërfunduara, duke sqaruar se PD ka ftuar pothuajse të gjithë partitë e djathta të cilat kanë pranuar ftesën e saj, për të formuar Koalicionin e Djathta e Bashkuar ndërsa  PS, ka formuar deri tani një koalicion paraelektoral të pagëzuar me emrin Koalicioni i Rilindjes Shqiptare jashtë të cilit është PBDNJ. Sipas Islamit, PD është në kërkim të një marrëveshjeje të re me LSI për të ndërtuar kështu koalicionin më të madh e fitues për zgjedhjet e ardhshme.
“Ky sistem zgjedhor, jo vetëm nuk e ka eliminuar por madje e ka shndërruar LSI në king-maker dhe me shumë gjasa kjo forcë do të jetë forcë përcaktuese edhe e mazhorancës së ardhshme qeverisëse”.
Ndër të tjera deputeti Islami vlerësoi se ky sistem elektoral i Shqipërisë, nuk është as i veçantë dhe as i komplikuar pasi është një sistem proporcional rajonal që gjendet në të gjitha literaturat e sistemeve elektorale. Ai thekson se partitë e vogla përgjithësisht nuk favorizohen nga ky sistem, i cili i jep prioritet qeverisjes së qëndrueshme dhe jo përfaqësimit të partive me 1-2 deputetë.
“Partitë ‘e vogla’ detyrohen nga ky sistem ose të bashkohen me partitë e mëdha, ose të krijojnë pole elektorale, ose të rriten. Pavarësisht zhurmës së madhe duhet pasur parasysh se nga 35 parti politike që kanë konkurruar në vitin 2009, vetëm PS, PD dhe LSI e kanë kaluar pragun prej 2 për qind të votave në shkallë vendi; pra 32 partitë e tjera kanë marrë jo më shumë se 2 për qind të votave”, deklaron Islami. 
Më tej, deputeti Islami sqaron se “ky sistem elektoral prodhon përgjithësisht një opozitë të fuqishme dhe një mazhorancë të përbërë nga dy ose më shumë parti. Pra krijon kushtet për një ‘konkurrim politik’ të ndershëm midis të barabartësh, qeverisje të përgjegjshme dhe kontroll opozitar të fuqishëm. Mazhoranca është dy partiake, do të ishte më mirë që edhe opozita të ishte dy ose më shumë partiake; për më tepër sistemi zgjedhor aktual e mundëson një gjë të tillë, por kjo varet nga votuesit dhe partitë politike”. 
I pyetur nëse shikon ndonjë mundësi për ribashkim të PS me LSI-në, Islami thekson se përveç mosbesimit shumë të lartë reciprok, kjo marrëveshje ka shumë “armiq” brenda PS, por edhe midis aleatëve tradicionalë të PS. “Edhe shumë segmente në LSI e shikojnë me dyshim e të pasigurt një marrëveshje me një parti me drejtim autoritar e klientelist, që synon absorbimin e LSI-së në një periudhë sa më të shkurtër që të jetë e mundur”, pohon ai. Ndërsa pyetjes lidhur me të ardhmen e tij politike, deputeti Islami tha se “në momentin e duhur do të kem përgjigjen adekuate”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›