E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshime për hakmarrje, ekzekutohet 54-vjeçari Hoxha



Ekzekutim në qendër të Korçës, një person është qëlluar shtatë herë me pistoletë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në qendër të qytetit juglindor, ku si pasojë e një atentati të organizuar, ka mbetur i vdekur në vend shtetasi Avni Hoxha nga Pogradeci. Sipas burimeve nga policia, mendohet se vrasësit që kanë qëlluar ndaj viktimës kanë qenë dy persona. Dëshmitarë që janë gjendur pranë në momentin e ekzekutimit i kanë dhënë ndihmën e parë, duke e transportuar me urgjencë për në spital. Por, plagët e marra si pasojë e goditjes me armë zjarri, kanë bërë që 54-vjeçari të mos të arrijë të mbijetojë dot. Në vendngjarje ka shkuar menjëherë policia, duke ngritur një grup pune, i cili ka filluar hetimet për të përcaktuar shkaqet e vrasjes së Hoxhës. Dyshimet e para flasin për një hakmarrje të mundshme, duke parë edhe mënyrën se si është realizuar ekzekutimi, ndërkohë që nuk përjashtohen pista të tjera, ku viktima mund të jetë implikuar.

Ngjarja

Sipas burimeve nga policia, ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 të ditës së djeshme. Viktima është qëlluar në lagjen nr. 2 të qytetit të Korçës pranë shkollës së mesme “Ymer Dishnica”. 54-vjeçari sapo kishte shoqëruar vajzën e tij në shtëpinë e saj në Korçë, ku ishte e martuar, kur ka rënë pre e sulmit. Hoxha kishte ardhur nga Pogradeci në Korçë dhe ishte duke lëvizur me një makinë tip “Golf” me targa PG 2383 B. Sapo viktima është ndarë nga vajza, është qëlluar shtatë herë me pistoletë, duke marrë plagë të ndryshme dhe vdekjeprurëse. Një grup hetimor ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, duke bërë këqyrjet dhe marrë dëshmitë e personave që kanë parë ngjarjen. Sipas burimeve zyrtare policore, falë dëshmisë së personave që kanë parë skenën e krimit, policia mendon se atentatorët kanë qenë dy persona, të cilët pas vrasjes janë larguar me shpejtësi për t’iu shmangur arrestimit. Plumbat e kanë kapur Hoxhën në trup e kokë. Gjatë këqyrjes, në vendngjarje u gjetën shtatë gëzhoja pistolete. Ndërkohë që u morën në pyetje disa persona, dëshmitarë të sulmit. Sipas burimeve, policia e Korçës është duke hetuar në disa pista, ku kryesorja është ajo e hakmarrjes, pasi viktima ka qenë i dënuar para viteve ‘90 për akuzën e “vrasjes”. Megjithatë, sipas burimeve nga grupi hetimor, nuk përjashtohet mundësia e implikimit të viktimës në afera të dyshimta, ose ndonjë konflikt i çastit që mund të ketë çuar në vdekjen e tij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›