E Diel, 1 Nëntor 2026

Cenollari: Kristopulli më çoi në Lezhë, aty ku e kishin keqtrajtuar



Ilir Cenollari, ish-drejtori i komanduar në SHIK gjatë viteve 1998-1999, ka dëshmuar dje në procesin gjyqësor në ngarkim të tre të pandehurve, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi. Përpara togave të zeza, dëshmitari Cenollari ka treguar për njohjet e tij me Ziso Kristopulin. “Me Ziso Kristopullin jam njohur rastësisht. Ka ardhur çështja nga punonjësit tanë. Ka bërë një ankesë në të cilën thuhej se ishte ushtruar dhunë nga ish-punonjësit e Shërbimit Informativ para vitit 1997. Për këtë procedurë janë njoftuar instancat e larta të shtetit”, - nisi të tregojë dëshmitari Cenollari.

Më tej, ai ka saktësuar se vetë Ziso Kristopuli i kishte ardhur në zyrë nëpërmjet punonjësve të Shërbimit Informativ të Sarandës, shoqërisht, ku dhe është pyetur dhe është marrë informacion. “Ne kemi bërë përpjekje dhe na është kërkuar informacion nga Presidenca e Republikës. Kam mbledhur të dhëna për këtë çështje dhe në rrugë zyrtare dhe kam dhënë shpjegime. Shtetasi është marrë dhe pasi është shoqëruar nga drejtori i SHIK-ut Sarandë, Metlut Vatraku, së bashku me mua e kemi shkuar në Lezhë, atje ku kemi pasur ne shtëpinë. Ka qenë e shkatërruar. Aty Ziso Kristopulli më ka thënë që “po, më kanë sjellë në këtë vend””, - ka vazhduar më tej dëshminë Cenollari. Sipas tij, vendi në të cilin ishte shpurë Kristopulli quhej Kune. Më tej ai ka treguar se Ziso Kristopulli e kishte vënë në dijeni që punonjësit e shërbimit të asaj kohe e kishin marrë dhe kishin përdorur dhunë ndaj tij. Dëshmitari ka shtuar se gjithçka është e dokumentuar, madje kishin mbajtur një deklaratë për Kristopullin. Mësohet se gjatë kësaj kohës, për të cilën dëshmonte Cenollari, nuk ishte përmendur asnjë emër se kush mund të kishin qenë personat që e kishin shoqëruar Ziso Kristopullin. Dëshmitari ka mbyllur dëshminë e tij, duke thënë se nuk e njihte të pandehurin Avni Koldashi. Dëshmitari i dytë i thirrur nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për të dhënë deklarime në seancën e djeshme gjyqësore, ishte Aziz Tërsia, edhe ky ish-punonjës në SHIK. Dëshmitari ka shpjeguar vetëm faktin që targat që ata përdornin ishin private. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lexuar dje deklarimet e dhëna para oficerëve të Policisë Gjyqësore të shtetasit Maksim Kroi. Në deklarimet e dhëna prej tij më 3 shkurt të vitit 2003, Kroi shpjegonte se kishte qenë punëtor në pularinë e shtetasit Ziso Kristopulli. Sipas tij, ditën që Ziso ishte rrëmbyer, ai ishte vënë në dijeni nga bashkëshortja e tij, ndërsa shpjegonte se më pas nuk ishte takuar më me të.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›