Vernon Coaker: Të pamundurën për të ekstraduar të kërkuarit
Ministri i Shtetit për Policinë i Mbretërisë së Bashkuar, Vernon Coaker, ka premtuar se do të bëjë të pamundurën për të ekstraduar personat e kërkuar nga drejtësia shqiptare në vendin e tij. Premtimi i është bërë kreut të Policisë së Shtetit shqiptar, gjatë një takimi që patën mes tyre. Gjithashtu, ata i kanë premtuar njëri-tjetrit bashkëpunim të mëtejshëm policor dhe forcim të marrëdhënieve mes dy vendeve në kuadër të luftës ndaj krimit të organizuar. “Jo të gjithë shqiptarët që jetojnë në Britani janë kriminelë. Por, nga ana jonë ne jemi të gatshëm për arrestimin e personave të kërkuar nga ana juaj dhe mirëpresim çdo lloj informacioni që mund të keni për shtetasit e kërkuar. Unë ju premtoj se do të bëj të pamundurën për t’i ekstraduar të kërkuarit për në vendin tuaj”, - u shpreh Coaker. Ndërsa, në fjalën e tij, numri një i Policisë së Shtetit u shpreh se nga ana e institucionit që ai drejton do të bëhet gjithçka, për të vënë në dispozicion dokumentacionin e duhur, me qëllim ekstradimin e tyre në vendin tonë. “Fatkeqësisht, në Britaninë e Madhe jetojnë disa shtetas shqiptarë të kërkuar nga ana jonë për disa vepra penale. Me policinë kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer, por në disa raste nga ana e gjykatave është refuzuar ekstradimi i tyre drejt vendit tonë. Ne jemi të hapur për shkëmbim informacioni, me qëllim ekstradimin e tyre drejt vendit tonë”, - u shpreh Prençi. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, në një deklaratë të dhënë për gazetën angleze “Daily Mail”, u shpreh se në Britaninë e Madhe janë rreth 100 persona të kërkuar nga drejtësia shqiptare, ku 80% e tyre akuzohen për vrasje. Sipas tij, këta persona të kërkuar nuk po arrihet që të ekstradohen për shkak të “refuzimeve” të bëra nga gjykata angleze.
Bashkëpunimi
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit falënderoi ministrin britanik, Coaker, për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy policive. Sipas Prençit, Policia e Shtetit është e vendosur për të vazhduar më tej bashkëpunimin me policinë angleze, kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të qenieve njerëzore, arrestimin e personave të kërkuar, në fushën e trajnimeve të oficerëve të policisë shqiptare. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit bëri një ekspoze të shkurtër të reformës legjislative dhe organizative që po i nënshtrohet Policia e Shtetit. “Bashkëpunimi policor deri tani me homologët britanikë është në nivele shumë të mira. Vlerësoj me nota maksimale ndihmën që na ka ofruar dhe ofron policia juaj në fusha të ndryshme. Ne ju garantojmë seriozitet dhe besnikëri në misionin tonë të përbashkët, në luftën kudër krimit në përgjithësi dhe në veçanti kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm ndërkufitar”, - u shpreh Prençi.
Ndihma
Numri një i Policisë së Shtetit vlerësoi edhe ndihmën financiare të dhënë nga Britania për institucionin që ai drejton. “Ndihmën që ka dhënë dhe jep Mbretëria e Bashkuar e ndiejmë çdo ditë me praninë e ekspertëve të saj pranë Policisë së Shtetit, si dhe me projektet që po implementohen falë ndihmës së dhënë nga ju. Në 10 vitet e fundit nga qeveria britanike janë investuar për policisë shqiptare rreth 4 milionë euro, të cilat janë bërë në fusha delikate dhe të rëndësishme, si në policinë shkencore dhe në trupën e operacioneve speciale”, - tha Prençi. Gjithashtu, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nënvizoi faktin se intensifikimi i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi do t’i shërbente Policisë Shqiptare për rritjen akoma më shumë të aftësive profesionale. Ndërkohë, që nga ana e tij, ministri Coaker pasi vlerësoi punën e bërë nga Policia e Shtetit, garantoi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë për asistencë të vazhdueshme. “Shumë e rëndësishme në punën e policisë është ndarja e saj nga politika. Gjithmonë policia duhet të jetë e pavarur dhe duhet të bëjë punën e saj”, - deklaroi Coaker.