Nishani: Në 3 vjet u goditën 300 grupe kriminale
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, deklaroi se gjatë tre vjetëve të fundit janë goditur rreth 300 grupe të krimit të organizuar dhe janë vënë para drejtësisë afro 1000 anëtarë të këtyre grupeve. Deklarata e tij u bë gjatë takimit me ministrin e Shtetit të Mbretërisë së Bashkuar (UK) për Policinë, Krimin dhe Sigurinë, Vernon Coaker. “Gjatë kësaj kohe falë bashkëpunimit me agjencitë e zbatimit të ligjit në vendet perëndimore, me Europol-in dhe Interpol-in, janë ekstraduar dhe vënë para drejtësisë rreth 250 persona”, - vazhdoi ai. Ndërsa, ministri britanik, Coaker, shprehu kënaqësinë për progresin dhe arritjet e Shqipërisë në luftën kundër veprimtarive kriminale, e po ashtu për bashkëpunimin e deritashëm mes strukturave policore shqiptare dhe britanike. “Ne nxisim bashkëpunimin rajonal dhe vlerësojmë rolin dhe kontributin e Shqipërisë në këtë drejtim. Dëshirojmë të thellojmë bashkëpunimin dhe të ndihmojmë në luftën dhe përpjekjet tuaja kundër të gjitha veprimtarive kriminale dhe trafiqeve të paligjshme. Progresi juaj, i cili është i dukshëm, i shërben dhe është një tregues pozitiv për rajonin, Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar”, - u shpreh ministri Coaker.
Ministri Nishani duke vlerësuar rritjen e profesionalizimit të Policisë së Shtetit dhe luftën me tolerancë zero kundër të gjitha veprimtarive kriminale, evidentoi faktin se gjatë kësaj kohe nuk ka pasur asnjë humbje jete në radhët e policisë, përkundrejt 180 punonjësve të policisë që kanë humbur jetën gjatë viteve 1997-2005. Numri një i Ministrisë së Brendshme e njohu kolegun e tij edhe me rezultatet e luftës kundër të gjitha trafiqeve të paligjshme, menaxhimin e integruar të kufirit dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkufitar me vendet fqinje. Në këtë kuadër u diskutua edhe për dokumentet e reja të identitetit, letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën biometrike, si dhe me fillimin e procesit për pajisjen e qytetarëve me këto dokumente. “Në prag të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, kemi përgjegjësi dhe objektiva të reja, ndaj jemi fokusuar mjaft në përmirësimin e legjislacionit, rritjen e profesionalizmit të strukturave policore dhe trajnimin e vazhdueshëm policor”, - u shpreh Nishani. Ministri i Brendshëm shprehu falënderimin për qeverinë britanike, për të gjithë bashkëpunimin e ofruar dhe asistencën policore, të cilën e vlerësoi si një ndihmë mjaft efiçente për policinë shqiptare, duke përmendur në veçanti misionin e asistencës policore, PAMECA III. Ai gjithashtu e siguroi ministrin Coaker se agjencitë ligjzbatuese britanike do të gjejnë në Shqipëri partnerë seriozë dhe të gatshëm, për të ofruar të gjitha kapacitetet dhe bashkëpunimin e nevojshëm.
Box
PAMECA III, takimi i dytë i bordit për sigurimin e zbatimit të projektit
Në mbledhjen e dytë të “Misionit të asistencës policore në Shqipëri” u diskutuan arritjet e këtij projekti për periudhën gjashtëmujore shtator 2008–shkurt 2009. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian me anë të asistencës teknike të siguruar ndihmojnë që të sjellin Policinë e Shtetit më afër standardeve të Bashkimit Evropian në fushën e policisë. Sipas ministrit të Brendshëm, “në këtë periudhë kohore ka pasur disa arritje. Ato mund të shikohen në fushën e përmirësimit të punës së Policisë së Shtetit, për të mundësuar menaxhimin e përshtatshëm të burimeve të saj njerëzore, financiare dhe teknike, për periudhën raportuese, ku ky mision ka dhënë asistencë për grupet e punës për Ligjin mbi Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, përfshirë këtu ndjekjen në Komisionet parlamentare dhe të Sigurisë, për të siguruar që ligji përfundimtar i miratuar të përputhet me normat dhe standardet e BE-së”. Është dhënë gjithashtu asistencë për të gjitha grupet e punës për Aktet Normative dhe Administrative që rrjedhin nga ligji për Policinë e Shtetit. Ndërsa vazhdon procesi për hartimin e procedurave standarde të punës, në vijim të aktiviteteve kryesore të kësaj fushe, zbatimi efektiv i ligjeve duhet të mbetet fokus i këtij misioni, të shoqëruara këto me grupe të efektshme politikash dhe sisteme operacionale monitorimi. Ministri Nishani shtoi se misioni ka përshtatur dhe do të vazhdojë të përshtatë një metodë të hapur, transparente dhe bashkëkohore pune dhe të arritshme nga përfituesit. Duke punuar ngushtësisht dhe duke mbajtur hapur dialogun me përfituesin dhe partnerët, do të bëhet e mundur që PAMECA III të plotësojë nevojat e Policisë së Shtetit dhe objektivat e gjera të qeverisë shqiptare.