E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meidani, mes Ramës e Metës

 

Aristir Lumezi

Ish-presidenti i Republikës Rexhep Meidani do të negociojë takimin Rama-Meta. "Grupi i të Urtëve" të PS-së, i mbledhur dje në mesditë në Hotel "Tirana", vendosi që të mandatojë ish- presidentin, të takojë Kryetarin socialist për të bërë të mundur një takim mes tij dhe kryetarit të LSI-së Ilir Meta. Në takimin e djeshëm, ishin të pranishëm ish-presidenti Meidani, ish-kryetari i Kuvendit Servet Pëllumbi, shkrimtari i njohur, Dritëro Agolli, nënkryetari i LSI-së Sabit Brokaj dhe një nga protagonistët në themelimin e PS në vitin 1991, Moikom Zeqo. Pasi kanë ndarë të njëjtin shqetësim për të ardhmen e të majtës dhe rezultatin e zgjedhjeve të 2009, "Grupi i të Urtëve" të socialistëve, ishin në një mendje që rreziku kryesor i të majtës është Sali Berisha dhe maxhoranca e tij, ndërkohë që e majta është pa një strategji të qartë se si do të përballojë këtë maxhorancë që sot është në pushtet. Ata janë shprehur se para kësaj situate, të gjitha partitë e majta, e veçanërisht PS dhe LSI duhet të shohin përtej partive të tyre dhe të ulen për të garantuar fitoren në zgjedhjet e 2009. Sipas tyre, ky bashkëpunim duhet të nisë me Kodin Zgjedhor, duke shfrytëzuar një shans që Presidenti i Republikës i dha të majtës, me kthimin e tij sërish në Kuvend. Në këtë frymë kanë folur të pranishmit në këtë takim ndërsa veç e veç ata nuk kanë dashur të japin detaje mbi qëndrimin e gjithsecilit në të, duke lënë të kuptohet se negociatat janë në udhë të mbarë, ndërsa mbetet vetëm të shprehet i njëjti vullnet dhe nga drejtuesit e Partisë Socialiste, e veçanërisht kryetari i saj. Nga ana e tij, Rama dhe në një deklaratë të bërë dy ditë më parë, i pyetur në lidhje me ftesën e Ilir Metës për të dialoguar, u shpreh se çështja e Kodit konsiderohet e mbyllur, ndërsa ftoi Metën t'i bashkohet koalicionit të PS-së, duke treguar mungesë reflektimi për çështjen e Kodit zgjedhor, i cili kaloi në parlament me votat e PS dhe PD. Figurat e njohura të së majtës, Pëllumbi, Agolli, Meidani, Brokaj por dhe Zeqo, vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën brenda të majtës, ndërsa kanë kërkuar bashkimin e tyre si garanci për të fituar zgjedhjet.   
Patriarku i PS-së Dritëro Agolli, i cili vazhdimisht në komunikimet e tij mediatike e ka parë ndarjen veç e veç të së majtës, si një garanci në fitoren e ardhshme të Berishës, ka shprehur gatishmëri që të mbështesë ato shqetësime që ka shprehur vazhdimisht. Mbetet që vullneti i drejtuesve të PS-së të shprehet hapur, nëse kërkojnë një bashkim real brenda së majtës, apo janë të vendosur të injorojnë çdo ftesë që vjen nga e majta për bashkëpunim. Që prej dy javësh, Kryetari i PS-së Edi Rama nuk i përgjigjet ftesës që Ilir Meta i ka bërë për të dialoguar për çështje të Kodit Zgjedhor, pas kthimit të tij sërish në Kuvend nga Presidenti i Republikës. Socialistët këmbëngulin që diskutimi për kodin do të përqendrohet vetëm në atë çështje që Presidenti i Republikës ka përcaktuar në dekretin e tij. Dy ditë më parë, në një intervistë televizive, patriarku i PS-së, Dritëro Agolli tha se "nëse PS dhe LSI janë të ndara veç e veç, vihet një pikëpyetje e madhe për fitoren e zgjedhjeve të 2009".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›