PS, Dade: Sali Berisha po thellon abuzivizmin me pushtetin
Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë dhe Kryeministrin Berisha se me mënyrën si miratoi ligjin "Për pastërtinë e figurave" vazhdon të shtojë abuzivizmin me pushtetin. Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në PS, Arta Dade në një konference për shtyp tha se me votimin e djeshëm, maxhoranca shkeli të gjitha parametrat dhe përvojën evropiane. PS akuzoi Berishën se përcolli me shurdhëri gjithë këshillat e partnerëve. "PS shpreh shqetësimin për kalimin e ligjit të ashtuquajtur për pastërtinë e figurës, me shumicë të thjeshtë dhe në mënyrë të njëanshme, duke shkelur të gjitha parametrat dhe përvojën evropiane të hartimit të ligjeve në vendet që kanë dalë nga diktatura komuniste", tha Dade, duke shtuar se me hapin e mbrëmshëm që i hapi rrugë hapjes së dosjeve, kryeministri vetëm sa thelloi abuzimin me pushtetin. Sekretarja socialiste ka mbështetur shqetësimin e Ambasadës Amerikane, pas miratimit të ligjit dy ditë më parë në Kuvend. "Sot Ambasada e SHBA-së ka ripërsëritur shqetësimin e saj. Ligji ngre pikëpyetje qeverisëse, ligjore dhe kushtetuese. Sali Berisha vazhdon të thellohet në abuzivizmin me pushtetin. Ky ligj nuk ka sesi e shpëton atë dhe maxhorancën nga hetimet për krimin shtetëror të Gërdecit, për krimin e grabitjes së fondeve shtetërore të ndërtimit të rrugës së kombit, nga hetimi për aferat korruptive shumëmilionëshe të sekserit serb që ka kapur shtetin me gjithë kryeministër", tha Dade. Socialistët bojkotuan Kuvendin të hënën kur miratohej ligji për pastërtinë e figurave, ndërsa u shprehën të hapur për të bërë një ligj, i cili do të sanksiononte hapjen e të gjitha dosjeve të periudhës së komunizmit. Madje ata i bënë apel qeverisë të mos miratojë ligjin, pasi ai është antikushtetues dhe se për një ligj të tillë kërkohet ekspertiza ndërkombëtare. Ata akuzuan qeverinë se përmes këtij ligji Berisha kërkon të mbyllë çështjet korruptive që ndodhen në proces hetimi dhe gjykimi, si ajo e rrugës Durrës-Kukës, apo tragjedia e Gërdecit dhe ajo e biznesmenit serbo-kroat Fazlliç.