E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrok Mirdita: Dosjet duhet të hapen, por jo për hakmarrje

 

Arqipeshkvi i Tiranë-Durrës, imzot Rrok Mirdita në një intervistë për Alsat TV në emisionin "Studio e Hapur" me gazetaren Eni Vasili mbështet hapjen e tyre. Sipas tij, është koha që gjërat të vendosen në vendin që u takon. "Unë uroj që e gjithë kjo të mos degradojë në diçka, që nuk i shërben kësaj shoqërie dhe këtij momenti ku kemi arritur tani, por sidoqoftë të vërtetës nuk duhet t'i ikim asnjëherë. Kjo e vërtetë duhet të zbardhet, edhe pse ata njerëz, që kanë qenë viktima e meritojnë një sadisfaksion minimum moral, që shoqëria më në fund përmes institucioneve zyrtare e ka njohur atë që ka ndodhur gjatë këtyre viteve. Gjithmonë jo për një hakmarrje, jo për t'i hapur derën spekulimeve, apo një  përçarjeve në shoqëri", deklaroi imzot Rrok Mirdita. Ai theksoi se "është e domosdoshme, nëse me të vërtetë përqendrohet tek njerëzit, që pretendohet ose që janë në instancat e larta të pushtetit". "Absolutisht nuk jam për atë që njerëzit, të cilët për rrethana që dihen apo nuk dihen, me entuziazëm më tepër a më pak, por që kanë qenë në poste të tilla dhe që kanë vendosur, ndonjëherë kanë kapërcyer edhe ligjet e asaj kohe të gëzojnë të njëjtat poste edhe sot në liri, kjo nuk do të ndodhte në asnjë vend demokratik. Jam që të ndahet shapi nga sheqeri. Sepse shpeshherë bëhen edhe spekulime dhe insinuata të ndryshme dhe përfshihet dikush, që s'ka dhe përjashtohet dikush që ka të bëjë", theksoi arqipevshki i Durrësit dhe Tiranës. Mirdita theksoi se "shqiptarët nuk duhet të urrejnë, kurrfarë ndjenje urrejtjeje dhe hakmarrjeje për një çështje të tillë". "Ai që ia do të mirën këtij vendi, por besimi nuk lejon që të urresh atë tjetrin, por të duash edhe armikun. Por që të harrohen sikur nuk kanë ekzistuar asnjëherë, atëherë është rreziku që ato mund të përsëriten, jo në të njëjtën formë. Mendoj që populli shqiptar, i cili ka provuar më tepër se asnjë komb tjetër në Evropë, një lloj degradimi të personalitetit më dhunë. Prandaj t'i vendosim gjërat aty ku u përket të qëndrojnë dhe duke pasur në vëmendje, që të mos biem në të njëjtat gracka", theksoi imzot Mirdita.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›