E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Të hapur për marrëveshje partneriteti dhe jo kalisash me PS

 

Kryetari i LSI-së Ilir Meta tha mbrëmë se partia që ai drejton po bën përpjekje konstruktive në lidhje me Kodin Zgjedhor. Gjatë një interviste televizive në Ora News, Ilir Meta tha se deri tani bashkëpunimi PS-PD nuk ka sjellë asgjë pozitive në jetën e shqiptarëve. Sipas tij, ajo që kërkon LSI është një bashkëpunim i sinqertë me PS-në. "Jemi të hapur për marrëveshje partneriteti dhe jo kulisash, prandaj kemi nisur negociata me personalitete që kanë nderuar PS-në vazhdimisht, njerëz që nuk kanë ndonjë interes imediat politike", tha Meta. duke sqaruar edhe më tej atë çka LSI kërkon nga ky bashkëpunim, Meta tha se "kërkohet një bashkëpunim ku secila forcë t'i shërbejë integritetit të saj, ku të gjitha subjektet do t'i shërbejnë fitores në zgjedhjet e përgjithshme në 2009, por dhe një qeverisje progresiste mbi një platformë të përbashkët programore", tha Meta. Kreu i LSI-së ripërsëriti ftesën që i ka bërë kryetari socialist Edi Rama për të diskutuar për bashkëpunim mes tyre dhe u shpreh se ka qenë i sinqertë vazhdimisht me Edi Ramën dhe socialistët. Duke u shprehur dhe për Ligjin e Dosjeve, kreu i LSI-së tha se "asnjëherë çështja e dosjeve të Sigurimit të shtetit nuk do të zgjidhet". "Ky është një proces që është manipuluar vazhdimisht politikisht. Që në fillim është vënë dorë mbi dosjet, prandaj kjo çështje nuk gjen dot zgjidhje", tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›