E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Mediat me bilanc pozitiv për 2008-ën

 

Presidenti Bamir Topi priti dje në Pallatin e Brigadave përfaqësues të mediave të shkruara dhe televizive, me rastin e festave të fundvitit. Në fjalën e tij, kreu i shtetit u shpreh se për këtë vit mediat kanë bilanc pozitiv, pasi institucionet janë vënë në lëvizje pas investigimeve të kryera prej tyre. "Duhet pranuar se bilanci juaj është pozitiv në drejtim të investigimit, por edhe të pasqyrimit të asaj çfarë ndodh me shoqërinë shqiptare, institucionet e saj e politikën e vendit. Jo pak herë, institucionet janë vënë në lëvizje pas investigimeve tuaja, edhe pse jo gjithmonë me ritmin e kohën e duhur", u shpreh Topi. Duke vënë në dukje misionin e rëndësishëm dhe delikat të medias, Kreu i Shtetit theksoi se, ajo "nuk duhet të influencohet aspak nga interesat e kujtdo qofshin. Besoj se dhe konkluzionet e Progres-Raportit të Bashkimit Evropian mbi punën e medias duhet të lexohen qartë si nga mediat ashtu edhe nga politika e biznesi". Sipas tij "liria e medias, edhe pse është një koncept i gjerë, nuk mund të mbetet më demogogji. Është në radhë të parë respekt për punën e një armate të tërë gazetarësh, por edhe korrektesë, etikë e përgjegjshmëri nga ana e tyre". Topi i siguroi gazetarët se "institucioni i Presidentit do të vazhdojë të mbetet transparent dhe mbështetës i medias së lirë e profesionale edhe në vitin e ardhshëm". Në fjalën e tij kreu i shtetit vlerësoi punën e jashtëzakonshme në shërbim të emancipimit të shoqërisë e sidomos përkrah publikut. "Tashmë është e qartë se jeni ju avokatët më të mirë të qytetarëve duke na përcjellë të gjithë neve shqetësimet e sensibilitetet e tyre", u shpreh Presidenti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›