E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Vendimi për Kushtetuesen, të mos jetë i nxituar

Presidenti i nderit të Asamblesë së PR: Politika të presë shtatorin. Topi të konsultohet me krerët e grupeve parlamentare

Politikani i vjetër dhe bashkëthemeluesi i Kushtetutës, Sabri Godo, ka komentuar dje idenë e mazhorancës për të ndërmarrë një aksion ligjor, për të detyruar Presidentin të plotësojë vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese përpara muajit shtator. Politikani Godo ka kërkuar që vendimi për Gjykatën Kushtetuese të mos jetë i nxituar. “Do të ishte i dëmshëm çdo lloj aksioni nga mazhoranca për të detyruar Presidentin të zgjedhë nxitimthi kryetarin e Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca, kuptohet nga vetë termi ‘mazhorancë’, ka fuqi për shumë gjëra. Mund të thërrasë edhe një mbledhje të posaçme të Kuvendit, sepse ka shumicën e votave”, tha Godo. Sipas tij, në këtë rast do të dukej gjithçka si një acarim i panevojshëm në kulmin e vapës. “Në vend që ta bëjmë këtë më 15 gusht, le të presim në ditët e para të shtatorit”, pohon Godo.

Këshilla ndaj Presidentit

“është mirë të bëjë këshillime paraprake me kryetarët e grupeve parlamentare kur çon propozimet në Kuvend, që të mos ndodhet pastaj para befasive që t’ia rrëzojnë kandidaturat”. Kështu është shprehur presidenti i nderit të Asamblesë të Partisë Republikane, Sabri Godo. Sipas tij, “arsyet e vonesës së dekreteve të kreut të shtetit nuk janë shkelje kushtetuese në burokracinë me të cilën trajtohen. U krijua artificialisht, më tepër për shkak të procedurave burokratike”. Presidenti i nderit i njërës prej partive aleate në qeveri, por njëkohësisht bashkëhartues i Kushtetutës, Sabri Godo, shprehet publikisht kundër sjelljes së mazhorancës ndaj Presidentit të Republikës, lidhur me çështjen e kreut të ri të Gjykatës Kushtetuese. Ai i quan absurde e flagrante akuzat se Presidenti Topi ka shkelur Kushtetutën, ndërsa thotë se po aq absurde e gjykon edhe ngutin e shumicës për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme parlamentare për emërimet në trupën e kushtetueses. "E njëjta praktikë është përdorur dhe në rastin e Presidentit Moisiu, i cili qëndroi dy muaj më shumë në detyrë, deri në zëvendësimin e tij, por askush nuk deklaroi se u shkel Kushtetuta", shprehet Godo. Sipas tij, kjo përplasje ka karakter politik mes mazhorancës dhe një Presidenti të ardhur nga radhët e saj, kur fare qartë, sipas tij, palët presin të zënë në gabim njëra-tjetrën për të lëshuar më pas akuza. "E kanë një prapavijë, se po të mos ishin këto tendenca, nuk do kishte pasur probleme të tilla", shton ai. Godo, i cili në vitin 1998 bashkëkryesoi komisionin që hartoi Kushtetutën e vendit, argumenton se nuk ka shkelje të Kushtetutës nëse anëtarët aktualë qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin e tyre. Zgjidhja sipas Sabri Godos në këtë situatë të krijuar, do të vinte nëse Presidenti Bamir Topi do të niste këshillimet qysh tani dhe me kryetarët e grupeve parlamentare, për të shmangur, sipas tij, ndonjë ngërç të radhës në votimin e dekreteve. Presidenca sipas tij, duhet të veprojë më me energji për të pasur dhe një trupë të plotësuar të kushtetueses në muajin shtator.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›