Dyshimet e Faton Toskit: Më privuan kombëtaren
Në periudhën kur Oto Bariç ishte në krye të kombëtares, në listën për rinovimin e skuadrës spikaste edhe emri i Faton Toskit. Kroati nuk humbiste asnjë mundësi për ta cilësuar 20-vjeçarin si një talent të së ardhmes për fanellën kuqezi, madje duke premtuar se shumë shpejt lojtari do të ishte pjesë e kontingjentit. Megjithatë, fakti që kosovari në të kaluarën ka milituar me U-19 të Gjermanisë (i aktivizuar në pesë ndeshje) ka bërë që FIFA të mos lejonte përfaqësimin e tij me Shqipërinë. Një situatë ku vetë Bariç ishte angazhuar së bashku me avokatin personal për ta zgjidhur në favor të kombëtares sonë. Tashmë që 75-vjeçari është larguar, Toski dyshon se përveç kundërshtimit të "qeverisë" së futbollit botëror, atij kombëtarja i është privuar edhe nga njerëz të caktuar në FSHF. "Loja ime i ka pëlqyer shumë trajnerit Oto Bariç dhe ai është munduar që të ma bëjnë pasaportën shqiptare. Kemi paraqitur kërkesën te FIFA, pasi dëshiroja të luaja për Shqipërinë, por ata më kanë kthyer përgjigje negative, pasi më parë kisha marrë pasaportën gjermane dhe jam aktivizuar me kombëtaren U-19 të këtij vendi. Por, unë dyshoj se edhe disa njerëz nga Federata Shqiptare nuk kanë dashur që të më marrin në Kombëtare", është shprehur Toski për të përditshmen kosovare "Express". Fjalë që tregojnë se 20-vjeçari pretendonte se mund të ishte bërë edhe më shumë për afrimin e tij në përfaqësuesen kuqezi. Nga ana tjetër, mesfushori beson se FIFA nuk do t‘i krijojë probleme për t‘u përfaqësuar me Kosovën, pas marrjes së pavarësisë dhe pasi të jetë krijuar një kombëtare që njihet në arenën ndërkombëtare: "Më herët nuk kam pasur mundësi ta përfaqësoj Kosovën dhe për këtë arsye besoj se FIFA nuk do të më krijojë probleme që të luaj për kombëtaren e vendlindjes sime". Në fundjavën që sapo kaloi mesfushori i lindur në Gjilan shënoi golin e tij të parë në elitën e futbollit gjerman. Në të 49-ën, Toksi shënoi golin e avantazhit për ekipin e tij, Eintraht Frankfurt në përballjen me Shalken, që përfundoi në barazim 2-2. "Ende nuk po arrij ta besoj që kam shënuar gol. Gjithmonë kam ëndërruar që të shënoj në Bundesligë dhe ia arrita", vazhdoi shqiptari që në takimin me Volfsburgun kishte dhënën asistin për rrjetën e shënuar nga Fink. Dëshira e kosovarit është që t‘i ngjasojë sado pak idhullit të tij, Alvaro Rekoba. Këtë ai provon ta bëjë që nga numri i fanellës: "Klubi më ka dhënë numrin 32, ndërsa dëshira ime ka qenë që ta marr numrin 20, sepse Alvaro Rekoba kur luante tek Interi mbante këtë numër. Ai lojtar më pëlqen shumë. Numri