E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtetet e huaja vonojnë letërporositë për Prokurorinë

19/03/2009  Krimet e Rënda në analizë 1-vjeçare, u hetuan 243 procedime, disa ishin të mbartura

TIRANE- Prokuroria e Krimeve të Rënda në analizën vjetore të punës së saj të kryer përgjatë vitit 2008 doli në përfundimin se janë hasur vështirësi në dërgimin e letërporosive nga disa shtete. Gjatë analizimit të çështjeve rezultoi se Krimet e Rënda kanë hetuar plot 243 procedime penale, nga të cilat 106 të mbartura nga vitet e mëparshme dhe 141 të regjistruara gjatë vitit që kaloi. Burimet thanë se brenda vitit 2008 kanë marrë zgjidhje përfundimtare 139 procedime, ku në krahasim me vitit 2007 janë 20 më shumë. Por gjatë hetimit të çështjeve në tërësi, probleme të konsiderueshme ka sjellë mosdërgimi i letërporosive nga disa shtete. Sipas specialistëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, shumë nga hetimet paraqiten në vështirësi për shkak se 23 letërporosi ende nuk janë ekzekutuar. Ekzekutimi i tyre lidhet me perspektivën e zgjidhjes së procedimeve, për të cilat janë formuluar. Duke ju referuar burimeve mësohet se rastet më të shpeshta të mos ekzekutimit të letërporosive lidhen me kërkesat drejt Greqisë dhe Italisë, ku secila prej tyre ende nuk ka ekzekutuar plot 9 letërporosi. Gjatë vitit 2008 janë ekzekutuar vetëm 6 letërporosi, nga të cilat 2 nga Greqia dhe asnjë nga Italia. Kjo sipas specialistëve është një shifër shumë e ulët nëse i referohemi numrit të atyre ende të paekzekutuara dhe nevojës së ndihmës juridike për fakte kriminale të konsumuara jashtë territorit të shtetit shqiptar. Ndërkohë që gjatë vitit 2008 Prokuroria e Krimeve të Rënda ka hetuar një sërë grup-veprash penale, nga të cilat pjesën dërmuese e përbëjnë krimet e trafikut të lëndëve narkotike me 104 procedime. Pas tyre vijnë veprat penale të trafikimit të qenieve njerëzore me plot 37 procedime, veprat penale të kryera nga organizata kriminale me 26 procedime dhe trafikimi i armëve me rreth 18 procedime. Në analizën e Krimeve të Rënda ishte e pranishme Kryeprokurorja Ina Rama, kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Dritan Allunaj, e punonjës të tjerë të Krimeve të Rënda. Në fjalën e saj Kryeprokurorja Rama përshëndeti punën e bërë nga drejtuesi Olsian Çela.

Gjithsej të hetuar 243 procedime

Për drogë: 104 procedime

Për trafiqe: 37 procedime

Për grupe kriminale: 26 procedime

Për trafik armësh: 18 procedime

Për kanosje: 18 procedime

Për vrasje: 15 procedime

Për rrëmbim: 12 procedime

Për terrorizëm: 6 procedime

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›