Lorik Cana, gol historik ndaj Liverpulit
Lorik Cana me golin e tij kundër Liverpulit (1-2) hyri në historinë e golashënuesve shqiptarë të Ligës së Kampioneve. Më parë kishin shënuar Kliton Bozgo me Mariborin dhe Besart Berisha me Hamburgun. Kapiteni i Marsejës realizoi në minutën e 23-të, duke çuar peshë tifozerinë franceze në “Velodrome”. M’Bami pasoi për Shejrunë, i cili pas një kontrolli thuajse perfekt dha pasin e artë për Lorik Canën. Mesfushori i Kombëtares shqiptare i ndodhur gati në kufirin ekstrem te një pozicioni jashtë loje nuk i la asnjë shans Reinës. Fatkeqësisht avantazhi i krijuar nga Cana zgjati vetëm 3 minuta, pasi kapiteni i Liverpulit, Stivën Xherard barazoi në minutën e 23-të. Fernando Torres pasoi për Kajtin, i cili pasoi në qendër për Xherard, që me manovrën e bukur tij hodhi nga krahu tjetër portierin e Marsejës, Mandanda. Fati nuk ishte me Marsejën, pasi në minutën e 32-të, Liverpuli kaloi në avantazh me penalltinë e realizuar nga Xherard, pas një faulli të Zubar ndaj Rajan Babelit. Penalltia u gjuajt dy herë pasi në të goditjen e parë, Kajt hyri në zonën e portës franceze.
Arjan Beqaj, hero edhe në Gjermani i mbyll edhe portën Verder Bremenit në takimin e mbyllur 0-0. Një sukses i madh i Anothosis në aventurën e parë në Ligën e Kampioneve.
AUTOGOLI I HAXHIT
Mesfushori shqiptar i Apoel Nikosia në Qipro, Altin Haxhi, shënoi një autogol në favor të Shalke 04 në humbjen 1-4 në ndeshjen e parë të turit të parë të Kupës UEFA. Skuadra gjermane e dominoi plotësisht takimin, Haxhi shënoi golin e tretë të takimit për llogari të Shalkes në minutën e 40-të (0-3). Më përpara kishin shënuar Vesterman (0-1) e Rakitiç (0-2), ndërsa Altintop i çoi shifrat në 1-4. Golin e vetëm për skuadrën qipriote e realizoi Mirosavljeviç.
Bajerni, Klinsman: “Do ta kalojmë pengesën rumune”
Rikthimi në Ligën e Kampioneve pas një viti mungese ka gëzuar jashtë mase edhe drejtuesit e Bajernit të Munihut. “Skuadra është mjaft e motivuar pas një viti mungese në Champions. Në këtë kompeticion ne duhet të tregojmë se çfarë kemi mundësi të bëjmë”, - tha bosi i klubit Karl Hainc Rumenige. “Steaua nuk është skuadra më e dobët. Duhet marrë shumë seriozisht ky takim. Ne e kemi mjaft të qartë që nuk do të jetë një ndeshje e lehtë”, - përfundoi Rumenige. Objektivi kryesor për skuadrën e Jurgen Klinsman është kalimi për në turin tjetër, prandaj një fitore sot kundër Steauas së Bukureshtit do të ishte shumë e rëndësishme për një start të mbarë. “Ne duhet ta fillojmë ndeshjen të përqendruar dhe mjaft të angazhuar që nga minuta e parë, nëse duam të arrijmë objektivin tonë. Është shumë e rëndësishme që të tregojmë që në fillim forcën tonë”, theksoi Rumenige. “Nëse e marrim seriozisht dhe me agresivitetin e duhur këtë ndeshje, atëherë mund ta kalojmë këtë pengesë të parë”, përfundoi ai. trajneri i skuadrës së Bajernit të Mynihut, Jurgen Klinsman: “Jam mjaft i gëzuar që më në fund nisi ky kompeticion. Besoj se jemi përgatitur në mënyrën më të mirë. Ky është një turne ku luajnë skuadrat më të mira të kompeticionit dhe pikërisht me ata duhet të matemi. Sulmuesi Luka Toni, është shprehur se do të shënojë gol edhe në Ligën e Kampioneve kundër skuadrës rumune të Steauas së Bukureshtit. “Jam mjaft i lumtur që do të debutoj në këtë kompeticion. Siç dihet Liga e Kampioneve është kompeticioni më i rëndësishëm për një lojtar. Dua t’i tregoj të gjithëve që di të shënoj gola edhe në ndeshje të rëndësishme”. Ja dhe kundërpëgjigjia rumune. “Asnjë skuadër nuk është e pathyeshme. Kundër Bajernit do të luftojmë sikur të ishim të barabartë”, - deklaroi presidenti i Steauas, Valeriu Argaseala.
ARSENALI
Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger nuk dëshiron që skuadra e tij të bëjë gabime në fushën e Dinamos së Kievit. “Kemi synime të mëdha dhe nuk duhet të bëjmë gabime. Duhet të fitojmë patjetër për të ruajtur besimin që kemi në forcën tonë dhe për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive. Do jetë një sezon i vështirë, gjithsesi ne jemi të aftë për të fituar një trofe të rëndësishëm dhe do japim më të mirën tonë në të gjitha kompeticionet ku do të marrim pjesë”, tha trajneri i “topçinjve”.
FENERBAHÇE
Trajneri spanjoll i Fenerbahçes, Luis Aragones, ka mjaft besim te forca e skuadrës së tij dhe parashikon një paraqitje të shkëlqyer në Ligën e Kampioneve. “Kemi një ekip të fortë, i cili do e tregojë qartë se ka synime të mëdha në Ligën e Kampioneve. Kemi marrë futbollistë shumë cilësorë dhe me mentalitet fituesi. Jemi gati për të dhënë më të mirën tonë dhe për të shkëlqyer në Champions”, – tha trajneri spanjoll Luis Aragones, i cili arriti të triumfojë me Kombëtaren e Spanjës në kampionatin evropian të futbollit, pikërisht gjatë kësaj vere.
LION
Trajneri i skuadrës franceze të Olimpikut të Lionit, Klaud Puel, kërkon tri pikë nga takimi i parë i Ligës së Kampioneve kundër skuadrës së Fiorentinës. “Kjo është ndeshja jonë e parë në shtëpi kështu dhe duhet të marrim patjetër tri pikë. Në Itali kampionati fillon shumë vonë dhe ne e kemi vëzhguar vetëm në një ndeshje nga afër skuadrën e Fiorentinës, prandaj e kemi shumë të vështirë për t’i parashikuar ata. Është një grup i vështirë dhe i barabartë. Edhe pse bëhet fjalë për Ligën e Kampioneve, asnjë skuadër nuk mund të jetë e fortë për ne, por duhet të luftojmë shumë fort në çdo ndeshje”.
Liga e Kampioneve
Dita I
16.09.2008, 20:45
A Çelsi-Bordo 4-0
A Roma-Kluj 1-2
B Panathinaikos-Inter 0-2
B Bremen-Anorthosis 0-0
C Bazel-Shakhtar 1-2
C Barcelona-Sporting 3-1
D PSV-Atletiko 0-3
D Marsejë-Liverpul 1-2
17.09.2008, 20:45
E Man.United-Vilareal
E Sëlltik-Alborg
F Steaua-Bajern
F Lion-Fiorentina
G Porto-Fenerbahçe
G Dinamo Kiev-Arsenal
H Juventus-Zenit
H Real Madrid-BATE
Ferguson: “Sezon më i vështirë, se i kaluari”
Trajneri i Mançester Junaitid, Aleks Ferguson, triumfoi sezonin e kaluar në Ligën e Kampioneve, sivjet ai dëshiron të ruajë kurorën e kampionit në fuqi, çka do të ishte hera e katërt në historinë e klubit britanik. “Do të jetë një sezon më i vështirë se ai i kaluari, gjithsesi ne nuk do të ndalemi dhe as do të tërhiqemi para çdo sfide që do të kemi. Do të japim më të mirën tonë dhe dua që të triumfojmë sërish në Ligën e Kampioneve. I kemi të gjitha shanset për ta bërë këtë gjë, pasi jemi i njëjti ekip, madje me më shumë përforcime. Synojmë të fitojmë Ligën e Kampioneve për të dytin vit radhazi, për të arritur një rezultat historik”, tha ai. Ndërkohë, trajneri Ferguson ka vlerësuar edhe ndeshjen kundër Vilarealit, e cila do të jetë e para për fazën në grupe. “Do të jetë një përballje e vështirë, pasi do luajmë ndaj një ekipi mjaft të fortë dhe me eksperiencë. Duhet të jemi të kujdesshëm në fushën e lojës, pasi nuk duhet të marrim asnjë rezultat tjetër përveç fitores. Duhet ta nisin me fitore Ligën e Kampioneve”, ka thënë trajneri i “djajve të kuq”, i cili nuk e ka nisur ashtu si duhet kampionatin anglez, kur në fundjavën që kaloi pësoi një humbje në fushën e rivalëve të Liverpulit. Ndërkohë, në sfidën kundër Vilarealit, për Mançesterin është kthyer Kristiano Ronaldo, i cili do të qëndrojë në pankinë.
Arabët e Sitit ofertë Ronaldos
Ronaldo është shumë afër kalimit te Mançester Siti. Lajmi konfirmohet nga sulmuesi brazilian, i cili shtoi se tashmë klubi britanik i ka bërë një ofertë. Kohët e fundit Ronaldo ishte lidhur në mënyrë të vazhdueshme me një transferim të mundshëm te klubi i “Eastlands”, por menaxheri Mark Hujxh e kundërshtoi çështjen pasi kërkoi më parë që sulmuesi i njohur të ishte në regull me gjendjen e tij fizike. Mançester Siti bleu pak kohë më parë sulmuesin Robinjo nga Reali i Madridit për shumën e 32.5 milionë sterlinave, menjëherë sapo klubi anglez u ble nga arabët e “Abu Dhabi Junaitid Grup”. Grupi arab dëshiron të transformojë Sitin në një nga klubet më të mëdha në botë dhe i ka garantuar Hujuxhit të vihet në ndjekje të lojtarëve të tillë si Fernando Torres, Sesk Fabregas e Ronaldinjo. Ish-superlylli i Realit të Madridit, Ronaldo, zbuloi se Siti është i interesuar të sigurojë shërbimet e tij, duke lënë të kuptohet se në muajin janar transferimi mund të kthehet në realitet. “Është oferta më e mirë që unë kam marrë dhe do të jetë shumë interesante të luaj me Robinjon”, - tha Ronaldo për gazetën “The Sun”. “Unë dhe ai së bashku, mund të shënojmë më shumë se 50 gola dhe unë pëlqeva projektin që Siti më prezantoi. Ata dëshirojnë ta bëjnë klubin në një nga më të mirët në botë, dhe unë ndihem i sigurt se mund t’i ndihmoj”, - përfundoi Ronaldo, i cili është duke u stërvitur me Flamengon në Brazil
Reali i Madridit dyshon për Mijatoviçin
Reali i Madridit është duke humbur besimin te drejtori i tij sportiv Predrag Mijatoviç. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta spanjolle sportive me qendër në Barcelonë, “Sport”, që nga ana e saj thekson se Mijatoviç çështja ka të bëjë në lidhje me një interviste të tij në lidhje me merkaton madrilene në kanalin televiziv të Realit të Madridit, e cila iu shit shikuesve sikur ishte direkt, ndërsa në të vërtetë ishte e pararegjistruar. Bordi i klubit dëshironte të kishte akses të plotë në lidhje me brendësinë e intervistës, duke pasur edhe frikën nëse komentet e Mijatoviçit nuk do të ishin korrekte me politikën e klubit. Lajmet nga Spanja pohojnë se pasi intervista e drejtorit sportiv ishte regjistruar, një kopje e saj u dërgua direkt në zyrën e presidentit të klubit, Ramon Kalderon, ku ndodheshin edhe dy këshilltarë të tij, Hoze Angel Sançez e Miguel Angel Arrojo, të cilët analizuan me kujdes çdo fjalë përpara se të jepej leja për transmetim. Mijatoviç kaloi “testin”, por nëse këto janë të vërteta, atëherë ai nuk ndodhet në pozita të rehatshme në “Shtëpinë e Bardhë”.
Juventusi “fiton” 4 milionë euro
Juventusi, gjatë merkatos së vitit të kaluar, ishte i fiksuar me lojtarët portugezë për të rilindur: Tiago ishte goditja e madhe e mesfushës, Andrade lideri i ri i mbrojtjes. Nëse i pari zhgënjeu për ato që prisnin prej tij, i dyti thuajse nuk luajti. Katër ndeshje kampionat dhe më pas goditja në gju kundër Romës, prej së cilës ish-lojtari i Deportivo La Korunjës nuk e mori veten kurrë. Edhe tani gati pas një viti lojtari është shumë larg të qenit një futbollist i nivelit të lartë dhe Juventusi është duke e bindur lojtarin për të pishur kontratën. Ato 10 milionë euro të shpenzuara për të nuk do t’ia kthejë prapa askush, por të paktën do të kurseheshin 4 milionë euro të pagës së tij deri në vitin 2010. Duke shpresuar se portugezi nuk do të bëjë kapriçozin.
Ilir Daja, trajneri i ri i Besës
Ilir Daja është trajneri i ri i Besës, duke zëvendësuar kështu brenda 48-orësh Iljaz Haxhiajn të vetëdorëhequr pas barazimit pa gola me Dinamon në Kavajë. Midis pesë kandidaturave të përfolura Ilir Daja, Vasil Bici, Leonidha Çurri, Eqerem Memushi e Ilir Biturku, presidenti “7-vjeçar” i Besës përzgjodhi drejtorin teknik të Dinamos. Ilir Daja, sezonin e kaluar u ul në bankinën e Dinamos pas shkarkimit të Agim Canajt, e në fund të kampionatit arriti t’i japë bluve titullin e 17-të tyre. Daja mban edhe një rekord personal. Me dy ekipet e vetme në Supërligë që ka drejtuar ka mundur të dalë kampion: me Elbasanin (2005-2006) dhe Dinamon (2007-2008). Ilir Daja është tekniku i 26-të në “epokën” Bizhdili, ku spikasin emra të tillë si Faruk Sejdini, Ramadan Shehu, Ilir Shulku, Përparim Daiu, Sulejman Starova, Hasan Lika, por edhe emri i rumunit Silviu Dumitresku.
17 Shtator 2008