Dyshimi, firmat në autostradë u dogjën për konkurrencë
Zjarret që shkrumbuan dy firmat Ardeno” dhe “Henri 2000" përgjatë autostradës Tiranë-Durrës dyshohet se janë vënë për motive konkurrence dhe nga të njëjtët persona të interesuar për të shkatërruar dy bizneset.
TIRANE-Lajmi konfirmohet nga Prokuroria e Tiranës, e cila po heton për dy dyja ngjarjet, që ndodhën brenda harkut kohor të një jave. Hetuesit kanë shkuar dhe më tej, duke ngritur dyshime se zjarret janë vënë nga i njëjti person apo grup personash, të cilët kanë pasur si qëllim të dobësojnë firmat “Ardeno” dhe “Henri 2000”, që duket se ishin të pakonkurrueshme në treg. Sipas hetuesve, dyshimet janë ngritur për shkak se është vërejtur i njëjti mekanizëm dhe ka mjaft ngjashmëri mes ngjarjeve. Por, deri më tani nuk ka ndonjë të dyshuar konkret, pasi nuk është gjetur ndonjë gjurmë, për shkak se të dyja ndërtesat janë shkrumbuar totalisht. “Kemi mjaft dyshime, ndaj po hetojmë për të zbuluar të vërtetën”, - tha një burim i prokurorisë.
Dyshimet
Në versionin zyrtar, zjarret që shkrumbuan mobilierinë “Ardeno” dhe firmën me pajisje hidro-sanitare “Henri shpk”, që ndodheshin përgjatë autostradës, janë klasifikuar si “zjarre të shkaktuara si pasojë e shkëndijave elektrike”. Por hetuesit e hedhin poshtë një version të tillë, duke ngritur dyshime të forta, se jo vetëm që ato janë të qëllimshme, por të vëna nga e njëjta “dorë”. “Persona të interesuar për shkatërrimin e bizneseve për shkak të konkurrencës kanë organizuar vënien e zjarreve. Nuk mund të themi më shumë, por dyshimet janë të mëdha dhe hetimet në rrugë të mbarë”, - tha një burim zyrtar. Zbulimi i të njëjtave vatra zjarri në të dyja firmat si dhe mekanizmi i njëjtë, ka bërë që hetuesit të ngrenë dyshime se dy ngjarjet mund të kenë lidhje me njëra-tjetrën. Konkurrenca është pista kryesore në të cilën po hetohet për të hedhur dritë mbi shkaqet e vënies së zjarreve, që shkrumbuan tërësisht firmat ku u shkaktuan miliona euro dëme.
Zjarret
Përgjatë harkut kohor të një jave, gjuhët e flakëve shkjrumbuan tërësisht magazinat e pajisjeve hidro-sanitare të firmës “Henry sh.p.k”, që ndodheshin në kilometrin e 10-të në autostradën Tiranë-Durrës, si dhe firmën e prodhimit të mobilieve “Ardeno”, po në autostradë. Zjarri tek magazinat e “Henri” ra mesditën e së hënës dhe zjarrfikësit mundën ta shuanin atë vetëm pas tetë orësh. Dëmi i shkaktuar kapte shifrën e miliona eurove. Ndërkohë, rreth orës 03.00 të mëngjesit të së premtes mori flakë kompania e mobilieve “Ardeno”, e cila u shkrumbua totalisht. Zjarrfikësit dhe forcat e policisë mundën të shmangnin një tragjedi të rëndë, për shkak se shumë pranë kësaj firmë ndodheshin pikat e furnizimit me gaz, “Sofi Gaz” dhe “Petrol Gaz”. Pronari i “Ardenos”, Tonin Alia pretendon se zjarri i ka shkaktuar të paktën 10 milionë euro dëme. Firma “Henri” ishte e siguruar dhe ka gjasa që të dëmshpërblehet për humbjen. Por duket se mjaft të vështirë për ringritjen e biznesit do ta ketë pronari i “Ardenos”, pasi ai nuk e kishte siguruar biznesin.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)