E Hënë, 2 Nëntor 2026

Enveri, martesa e djalit gafë me një vajzë me kushërinj të dyshimtë

18/04/2005  Cila ishin nenet mbi të cilat u konsoliduar socializmi? Cilat ishin nenet që hoqi taksat e popullit? Si u ngulitën marksizëm-leninizmi brezave? Si u konsideruan tokat bujqësore sipas planifikimit socialist? Cilat ishin masat që u morën në drejtim të centralizimit të ekonomisë?Cila është situata që krijua pas vdekjes së Enverit? Si u konsiderua martesa e djalit të Enverit me një vajzë që kishte kushurinj jashtë vendit?

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga "Ideart", sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX.

Në nenin 14-të thuhej së “në ndërtimin e socializmit RPSSH-ja i përmbahet parimit të mbështetjes kryesisht në forcat e veta”. Në nenin 15-të thuhej, se në lidhjet me botën e jashtme RPSSH-ja “niset nga parimet e marksizëm-leninizmit dhe internacionalizmit proletar, ndjek politikën e miqësisë, bashkëpunimit dhe ndihmës reciproke me vendet socialiste mbështet lëvizjen revolucionare të klasës punëtore dhe luftën e popujve në liri, pavarësi, progres shoqëror e socializëm dhe mbështetet në solidaritetin e tyre”.

Por në këtë kohë, numri i vendeve socialiste të denja, sipas pikëpamjes të udhëheqësve të PPSH-së, të quheshin socialiste ishte vetëm dy. Si të tilla pranoheshin vetëm Kuba dhe Vietnami.

Neni 16-të ndalonte pronën private dhe shfrytëzimin e njeriut nga njeriu. Koncepti pronë socialiste (neni 17) përfshinte pronën shtetërore dhe fshatare kooperativiste. Për më tepër prona kooperativiste, madje dhe prona vetjake e qytetarëve mund të kalonin në kategori shtetërore “në qoftë se këtë e kërkonte interesi i shoqërisë”. Me një fjalë, siç thuhej në preambulën e gjerë të kushtetutës “prona shoqërore mbi mjetet e prodhimit dhe sistemi unik i pronës socialiste zëvendësuan pronën private dhe ekonominë shumë formëshe në qytet dhe në fshat”. Sipas nenit 28 ndalohej krijimi i shoqërive dhe i institucioneve të tjera ekonomike e financiare (të huaja apo të përziera) me pjesëmarrjen e monopoleve, të shteteve borgjeze e revizioniste, si dhe marrja prej tyre e kredive. Neni 31, i cili mbyllte kapitullin ekonomik të kushtetutës, i çlironte qytetarët nga pagimi i taksave të çdo lloji qofshin.

Shteti nuk njihte asnjë fe, kishte mbyllur institucionet dhe organizatat fetare, përkrahte dhe zhvillonte propogandën antifetare, për të rrënjosur në ndërgjegjen e njerëzve konceptin shkencor-materialist të ndërtimit të botës.

Fjalët marksizëm-leninizëm, komunizëm e socializëm, qenë të pranishme gati në çdo nen. Kështu, p.sh., brezi i ri duhej të edukohej “me konceptet e marksizëm-leninizmit, duke kombinuar punën prodhuese dhe përgatitjen fiziko-ushtarake”, ndërsa prindërit kishin përgjegjësinë për edukimin komunist të fëmijëve.

Megjithatë, ky dokument i politizuar, që i ngjante paksa një kushtetute, u bë udhëheqës për çdo veprim gati për 10 vjet.

Centralizimi i rreptë i drejtimit ekonomik, qe planifikimi i treguesve të lartë dhe të parealizueshëm, vjetërimi i bazës materialo-teknike të ekonomisë popullore, pamundësia për të marrë mjete financiare nga jashtë, si pasojë e ndalimit kushtetues, aftësia e ulët konkurruese e mallrave shqiptarë në tregun botëror, mungesa thuajsee plotë e stimujvemateriale, që do të nxisnin veprimtarinë prodhuese të punonjësve të qytetit e të fshatit, çuan në frenimin e zhvillimit ekonomik të vendit. Është domethënës fakti që vëllimi i tregëtisë së jashtme të Shqipërisë, në vitin 1985, ishte praktikisht në nivelin e vititi 1975.

Besimi i verbër tek efektiviteti i planifikimit “të drejtë” solli në jetë në dhjetëvjeçarin 1981-1990, programin për intensifikimin e prodhimit bujqësor në tokat më pjellore fushore. Në zonën e bujqësisë dhe blegtorisë intensive u përfshinë më shumë se 100 mijë ha tokë nën ujë të rajonit bregdetar apo 17% e të gjithë sipërfaqes së mbjellë të republikës. Në pesëvjeçarin e parë, në këto toka ishin investuar më shumë se 1.4 miliardë lekë, gati sa një e katërta e të gjitha mjeteve financiare të investuara në bujqësinë e vendit. Për rrjedhojë, prodhimi bujqësor e blegtoral në këto zona u rrit më shpejt se në zonat e tjera. Rendimenti mesatar i grurit në to në vitin 1985, qe 46 kv për hektar, një rekord për Shqipërinë, që garantonte sigurimin e minimumit të prodhimit bujqësor edhe në vitet e thatësirave.

Nuk dihet se nga niseshin konkretisht ekspertët qeveritarë të bujqësië (nëse jo nga lufta kundër instinkteve të pronës personale), por në vend vazhdonte zvogëlimi i ekonomive ndihmëse të anëtarëve të kooperativave bujqësore. Madhësia maksimale e oborrit arriti në 0-02-005 ha, e për pasojë u ul dhe pjesa që ai jepte në prodhimin e përgjithshëm të prodhimeve bujqësore nga 19.2 në vitin 1980, në 9.1% në vitin 1985. në vitet 1981-1982 u bë tufëzimi i plotë i bagëtive të imta dhe 70% i lopëve të kooperatistëve. Kjo politikë, siç u vërejt në kongresin IX të PPSH-së, më 1986, solli rezultate të padëshiruara, sepse “për shkak të moskuptimit dhe zbatimit të drejtë, në një sërë rajonesh të vendit pati pasoja të pafavorshme për fshatarësinë”.

Përcjellja dinakërisht e fajit të zbatuesit, të cilët nuk e paskëshin kuptuar, duhej të shkarkonte përgjegjësinë nga aparati partiako-shtetëror, paaftësia e të cilit për problemet e drejtimit të ekonomisë pati rezultate katastrofike për vendin në përgjithësi dhe për mirëqenien e popullit në veçanti. Rritja me 8-10% në krahasim me vitin 1980 të ardhurave reale për frymë të popullsisë, e parashikuar për vitin 1985, nuk u arrit. Paga mesatare e punëtorëve dhe nëpunësve si dhe të ardhurat e fshatarësisë mbetën në nivelin e vititi 1980. Në rrjetin tregtar, u bë kronike mungesa e shumë prodhimeve ushqimore dhe e mallrave të konsumit të gjerë, që solli vendosjen e sistemit të racionimit të pjesshëm.

Ndarja e totalitarizmit

Më 11 prill të vitit 1985, vdiq Enver Hoxha, me emrin e të cilit lidhej periudha mëse 40-vjeçare e jetës së shoqërisë shqiptare. Mijëra njerëz, të cilët kishin ardhur në Tiranë nga të katërt anët e vendit, përcollën me lot në sy në udhën e fundit udhëheqësin e tyre. Atë e varrosë në varrezat e dëshmorëve në këmbën e monumentit “Nënë Shqipëri”, ndërsa pas rënies së komunizmit e zhvendosën në varrezën publike, më periferi të Tiranës. Bashkë me të iku dhe një epokë e tërë- epoka e totalitarizmit.

Që nga viti 1941, Hoxha mbajti poste drejtuese në Partinë Komuniste: në fillim anëtar i thjeshtë i KQ, ndërsa nga vitit 1943 e deri da vdiq Sekretar i Përgjithshëm i PKSH/PPSH-së. Ndihmesa e tij vetjake dhe shumë e rëndësishme për krijimin e variantit shqiptar të sistemit stalinist administrativo-komandues, është e dukshme. Është pikërisht ai përgjegjësi i drejtpërdrejt për çka ndodhi në vend dhe në shoqëri duke qenë nismëtar i fushatave të shumëllojshme ideologjike e duke i mbuluar, në fillim me forcën e autoritetit të vet, ndërsa më pas me autoritetin e forcës veprat e dënueshme, të kryera nga organet ndërshkuese sipas udhëzimeve të tij.

Pas eleminimit në vitin 1949 të Koçi Xoxës, të cilit iu ngarkuan përgjegjësitë për të gjitha krimet e udhëheqjes së lartë komuniste gjatë luftës e në vitet e para pas saj, xhelati kryesor i regjimit u bë Mehmet Shehu. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, ideologu dhe zbatuesi i komunizmit të kazermës, për më shumë se një çerek shekulli ecën krah për krah. Binomi i tyre u prish në vitin 1981. Në fund të viteve ’70-të, kur për njërëzit e afërt të diktatorit u bë e qartë se ai vuante nga një sëmundje e pashërueshme, Shehu me një vetbesim të tepruar, shfaqi fare hapur mëtimet e veta për trashgiminë. Kreu i qeverisë që nëpërmjet të afërmve dhe njerëzve besnikë kontrollonte të gjitha institucionet e forcës, dmth njeriu, që kishte pushtetin real në vend, bëri një gafë, duke pranuar martesën e djalit me një vajzë, e cila kishte kushërinj jashtë kufijve, në vendin e kundërshtarëve të regjimit. Bashkëshortët Hoxha bënë sikur e përshëndetën këtë vendim. Siç doli më pas kjo ishte vetëm një hipokrizi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›