E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyshohet për malarie, izolohet te Infektivi një 17-vjeçar nga Tirana



Një 17-vjeçar nga Zall-Herri dyshohet të jetë prekur nga sëmundja e malaries, e zhdukur shumë vite më parë në Shqipëri. Burime nga Ministria e Shëndetësisë konfirmojnë se pacienti i prekur është një emigrant dhe sapo është kthyer nga Greqia. Momentalisht 17-vjeçari është i shtruar në Spitalin Infektiv pranë qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” dhe mbahet i izoluar. Analizat e para, të kryera pranë Institutit të Shëndetit Publik, hedhin dyshime për sëmundjen e rëndë. Ndërkohë, mostra të analizave janë dërguar edhe në Romë, çka do të vërtetojë përfundimisht nëse emigranti shqiptar është prekur apo jo nga sëmundja e malaries. “Dyshimet janë shumë të forta për malarie. Shenjat e para të çojnë drejt kësaj sëmundjeje. Mostrat janë dërguar në Institutin Sanitar në Romë të Italisë për analiza më të hollësishme. Morëm masa për izolimin e rastit. Për të parë hallkat epidemike dhe për të hulumtuar nëse rasti është i importuar apo është rast i marrë këtu, që ka shumë pak gjasa të ndodhë”, - deklaroi dje drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Sipas infeksionistit Pëllumb Pipero, rasti shërben për sensibilizimin se rreziku i marrjes së sëmundjeve infektive është evident tashmë që bota është bërë e vogël dhe komunikimi është i shpejtë.

Të infektuarit në Ballsh, Alban Ylli: “Të vetizolohen”

Personat e infektuar në qytetin e Ballshit duhet të vetizolohen, pasi ata mund të bëhen burim infeksioni për njerëzit e tjerë. Kështu shprehet Alban Ylli, drejtori i Shëndetit Publik, i cili bën të ditur se dy ditë më parë, në qytetin e Ballshit, janë shpërndarë fletëpalosje, për të informuar qytetarët për rreziqet që sjell norovirusi, i cili tashmë është konfirmuar që është marrë nga kontaminimi i ujit të ujësjellësit. “Termi izolim është shumë i fortë. Ata duhet të vetizolohen, të përpiqen të mos kenë kontakte me ushqimet, me fëmijët e vegjël, duhet t’i lajnë shpesh duart. Produktet biologjike që ata prodhojnë duhen trajtuar me shumë kujdes, sepse janë një burim i mundshëm infeksioni për të tjerët”, - shpjegoi Alban Ylli. Gastrointeriti akut viral njihet ndryshe me termin gripi i stomakut. Ai është një sëmundje ngjitëse dhe shpërndahet shumë shpejt. Disa nga këshillat e mjekëve për të evituar këtë sëmundje, janë mbajtja e higjienës pastër, ndërkohë që personat e infektuar nuk duhet të gatuajnë deri sa simptomat e tyre të zhduken plotësisht, pasi ushqimi infektohet nga virusi dhe bëhet burim infeksioni për të tjerët. Aktualisht në qytetin e Ballshit, mëngjesin e së premtes ka pasur dhe rreth 10 persona të tjerë me simptomat e norovirusit.

15 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›