E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti: Bankat private nisin uljen e interesave për kreditë e shtëpive

Interesi mesatar i ponderuar për kreditë në euro për prona, ra në mars me 54 pikë bazë

Ervin KOÇI

Bankat private kanë nisur përsëri që të rishikojnë procedurat e kredidhënies për sektorin imobiliar. Disa banka të nivelit të dytë në tregun vendas, kanë filluar të ulin interesat e kredive për blerjen e pronave të patundshme nga klientët, si dhe kanë lehtësuar disi procedurat e kredimarrjes. Sipas të dhënave të publikuara në raportin e fundit të Shoqatës së Bankave, interesi mesatar i ponderuar për kreditë për blerje pronash në monedhën euro, ra në muajin mars me 54 pikë bazë në krahasim me shkurtin, duke shënuar nivelin prej 7.47 për qind. Interesat e kredive për kapital qarkullues për biznesin janë rritur gjatë muajve të fundit, ndërsa interesat për kreditë e dedikuara për blerje pronash të patundshme nga individët janë ulur. Interesi për këto lloj kredish është ende 53 pikë bazë më shumë se sa në korrik 2008, pra në periudhën para krizës financiare ndërkombëtare, por gjithsesi tendenca është qartësisht në rënie.

Kredia në euro
Kredia në euro është më e parapëlqyera nga shqiptarët për blerje pronash, pasi pavarësisht rrezikut të kursit të këmbimit që mbart, interesi i saj është shumë më i ulët se sa kreditë në lekë. Për të marrë kredi në monedhën vendëse për blerje shtëpie, në mars duhej të paguaje 11.8 për qind. Edhe interesi i kredive në lekë është reduktuar me 43 pikë bazë në krahasim me shkurtin. Në përgjithësi, bankat kanë ulur interesat e kredive për individët, ndërsa kanë rritur ato për bizneset. Rritja më e fortë e muajit vërehet në kreditë overdraft në lekë për bizneset. Interesi u rrit me 197 pikë bazë në 15 për qind. Kreditë në euro të dedikuara për blerje makinerish e pajisjesh u rritën me 118 pikë bazë në krahasim me shkurtin.

Kreditimi
Loja me interesat pasqyron edhe një zhvendosje të vëmendjes së bankave nga kreditë për bizneset te kreditë për familjet. Gjatë vitit të fundit, kreditimi për familjet në Shqipëri pësoi rënie neto, pasi bankat i konceptuan individët si subjekte shumë më të rrezikuara nga kriza. Gjithsesi, numri i klientëve të këqij ka qenë më i lartë mes kategorisë së biznesit. Muajt e fundit bankat duket se po i rikthehen normalitetit duke rinisur kreditimin e individëve. Interesat e kredive në euro për mallra të qëndrueshme, ku klasifikohen kreditë për blerje makinash, u ulën në 7.26 për qind në mars, nga 9.14 për qind që patën qenë në shkurt.

Vlerat e arit rritet në bursat ndërkombëtare

Çmimi i metalit të verdhë në tregun ndërkombëtar arriti në një rekord historik dje në kuotën më të lartë në të gjitha kohërat si pasojë e faktit se investitorët po përpiqen të mbrojnë kapitalet e veta nga inflacioni i monedhave konvencionale. Banka Qendrore Europiane ka deklaruar se do të blejë përkundrejt vlerës së plotë bondet e vendeve të Bashkimit Europian përfshi Greqinë, “për të siguruar likuiditet në ato segmente të tregut që shfaqin disfunksione”. Por për investitorët kjo gjë do të thotë se borxhet publike do të blihen në këmbim të euros së prodhuar rishtazi, gjë që nënkupton rrezikun për zhvlerësim të euros dhe inflacion të lartë. Në këto kushte, floriri dhe jeni japonez konsiderohen si investimet me rrezik më të ulët inflacioni. Një onz ar (i barabartë me 28.35 gramë) kushtoi dje 1241 dollarë.

15 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›