E Shtunë, 31 Tetor 2026

Propozimet për rritjen e pagës minimale në shkallë vendi

Ministria e Financave propozon shifrën 25 mijë lekë, Këshilli i Punës, 21 mijë

Jonida Tashi

Masa e pagës minimale në shkallë vendi pritet të ndryshojë së shpejti. Këshilli kombëtar i Punës ka mbledhur dje grupin e punës dhe anëtarët që përfaqësojnë biznesin, për të diskutuar variantin e ri të pagës minimale. Në rendin e ditës ishte caktuar vetëm tema e diskutimit mbi pagën minimale, pa përmendur masën e propozuar. Megjithatë, burime pranë grupit të punës thonë për një variant të propozuar nga Ministria e Financave në masën 25 mijë lekë të rinj në muaj bruto, ndërsa Këshilli i Punës mendon ta ulë në 21 mijë lekë. Aktualisht, paga minimale është rreth 18 mijë lekë, nga 11.5 mijë lekë që ishte në vitin 2005 dhe ka pësuar rritje tri herë brenda një harku kohor 4-vjeçar. Vendosja e pagës minimale bëhet për të mbrojtur shtresat sociale që punojnë me kohë të plotë, por, nga ana tjetër, shikohet me rezerva për biznesin që paguan kontributet, duke i rënduar kostot.
Mbledhja
Mbledhja ka pasur debate, pasi anëtarët e Këshillit Kombëtar të Punës kanë paraqitur studimet e tyre, bashkë me propozimet, të cilat synojnë rrëzimin e variantit të Ministrisë së Financave. Megjithatë, nuk ka ende një konfirmim zyrtar të nivelit të ri të pagës, për aq kohë sa diskutimet sapo kanë nisur dhe propozimet duhet të miratohen nga Këshilli i Ministrave. Gjithsesi, çdo rritje e pagës minimale sjell kosto për biznesin, sidomos atë të prodhimit të tekstileve, pra atë fason. Rritja e fundit e pagës minimale në shkallë vendi është bërë vitin e kaluar, kur qeveria sapo kishte miratuar masën e kontributeve për punëdhënësit me 5 për qind, duke krijuar në një farë mënyre balancim në arkën e shtetit. Me pagën e re të rritur, qeveria synon të shtojë të ardhurat në arkën e saj, tashmë të zbrazur, pasi llogarit kontributet dhe taksën mbi pagë.
Rritja
Rritja e pagës minimale do të ndikojë në financat e bizneseve, pra direkt te masa e fitimit, pasi subjekteve do t’u duhet të paguajë më shumë kontribute për punëmarrësin. Një tjetër fenomen negativ lidhet me punësimin e të rinjve, të cilët nuk nxisin biznesin për aq kohë sa pagat minimale rriten në masën e pagave që marrin të punësuarit me eksperiencë. Gjatë tremujorit të katërt 2009, forca e punës është 1 042 618 persona, ndërsa shkalla e papunësisë së regjistruar është 13.75%. Numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat bujqësor nga tremujori i dytë 2008 deri në tremujorin e tretë 2009 është vlerësuar sipas Anketës së Forcës së Punës 2007 dhe për tremujorin e katërt 2009 është vlerësuar sipas Anketës së Forcës së Punës 2008. Sipas këtij vlerësimi, numri mesatar i të punësuarve në këtë sektor për tremujorin e katërt 2009 është 496 190. Numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor është ulur me 0.9% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Numri mesatar i të papunëve të regjistruar gjatë tremujorit të katërt 2009 është 143 340, ndërsa numri mesatar i të papunëve që përfitojnë pagesë papunësie është 10 050. Niveli mesatar i ndihmës së pjesshme ekonomike është 3150 lekë, ndërsa niveli i ndihmës ekonomike të plotë është 3900 lekë. Niveli bazë i pagesës së papunësisë është 6340 lekë.

15 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›