Dyshohet se viktima e masakruar dhe e djegur është nga Elbasani
Menjëherë pas gjetjes së një kufome në fshatin Grabian të rrethit të Lushnjës paraditen e djeshme, janë hedhur dyshimet se viktima mund të jetë nga Elbasani. Hetimet e para kanë çuar në pistën se trupi i pajetë, i gjetur në rrugën paralele të autostradës Lushnjë-Fier, nuk është vendas. Në lidhje me ngjarjen ka reaguar zyrtarisht Drejtoria e Policisë së Qarkut të Elbasanit. Sipas zëdhënëses Valbona Bega, karakteristikat e kufomës (mashkull i moshës 20-25 vjeç, rreth 1.68 cm i gjatë) kanë çuar në dyshimet se viktima mund të jetë nga qyteti i Elbasanit. Bega ka kërkuar përmes mediave ndihmën e komunitetit për informacione të mundshme, duke vënë në dispozicion edhe tre numra telefoni të Drejtorisë së Policisë së Qarkut, 102/ 129/ dhe 126.
Kufoma u gjet paraditen e djeshme në vendin e quajtur “3 Urat” në fshatin Grabian të Lushnjës. Kufoma, e cila është e seksit mashkull, u gjet nga barinjtë e zonës dhe mendohet të jetë goditur me mjete të forta dhe më pas të jetë djegur. Sipas policisë, në fillim viktima është dhunuar dhe goditur me mjete të forta si sëpatë apo pjesë hekuri. Nga sasia e gjakut e gjetur në vendin e ngjarjes, arrihet në konkluzionin se viktima ka mbërritur i plagosur dhe aty atij i është hedhur benzina dhe i është vënë flaka. Sipas shefit të Krimeve në Komisariatin e Policisë së Lushnjës, Gramoz Traga, viktima i përket një moshe nga 20 deri në 22 vjeç. Ai ka qenë i veshur me pantallona të shkurtra dhe bluzë me mëngë të shkurta si dhe shapka në këmbë. Torturat që janë ushtruar mbi të tregojnë se është një hakmarrje, thonë pjesëtarë nga grupi i hetimit. Policia ka nisur të kryej verifikimin e banorëve të fshatrave të zonës pranë vendit të ngjarjes, ndërkohë që të dhënat e viktimës i ka publikuar edhe në mediat lokale me qëllim interesimin e ndonjë të afërmi për të. Ky është rasti i dytë i vrasjeve të këtij lloji, pa autor që ndodh në rrethin e Lushnjës brenda këtij viti. Tre muaj më parë një biznesmen nga Peqini është ekzekutuar me 8 plumba pistoletë në autostradë.
TË DHËNAT E KUFOMËS
Seksi: mashkull
Mosha: 20-22 vjeç
Veshja: pantallona të shkurtra, bluzë me mëngë të shkurta, mbante shapka në këmbë
8 Gusht 2008