E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lehtësohen procedurat për vizë në Ambasadën Italiane



Laureta Rryçi
Ambasada italiane në Tiranë përmes një komunikate të publikuar dje, deklaron krijimin e lehtësirave për lëvizjen transit në vendet e BE-së për periudhën 1 gusht 2008 -31 janar 2009, të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Itali ose atyre që kanë kërkuar rinovimin e lejes së qëndrimit apo lëshimin për herë të parë të lejes së qëndrimit për punësim, punë të pavarur ose për bashkim familjar. Sipas komunikatës për shtyp, "Ministria e Brendshme e Republikës Italiane arriti përsëri të fitojë nga Këshilli dhe Komisioni i Bashkimit Europian krijimin e lehtësimeve për të lejuar tranzitin, përmes Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, të qytetarëve të Vendeve të Treta të cilët janë në pritje të rinovimit të lejes së qëndrimit".
Përfituesit
Sipas njoftimit të djeshëm, ky lehtësim është i vlefshëm nga 1 Gushti 2008 deri me 31 Janar 2009 dhe do të aplikohet vetëm për qytetarët e huaj që në ardhje nga Italia apo të drejtuar drejt Italisë zotërojnë, në momentin e transitit në zonën Shengen, dokumentet që vijojnë: kuponin e lëshuar nga Posta italiane S.P.A. që vërteton paraqitjen e kërkesës për rinovimin e lejes së qëndrimit; pasaportë në periudhë vlefshmërie; lejen e qëndrimit të skaduar", thuhet në komunikatë. Qytetarët e huaj në pritje të lëshimit për herë të parë të lejes së qëndrimit për punësim, për punë të pavarur ose për bashkim familjar, mund të kthehen në Vendin e tyre të origjinës ose në Vendin ku banojnë dhe të hyjnë sërish në territorin italian pa qenë e nevojshme për vizë rihyrjeje, mjafton që të respektohen disa nga kushtet e vendosura.
Kushtet
Ata që nuk do iu duhet vizë rihyrjeje duhet që dalja dhe rihyrja në Itali të bëhet nga e njëjta pikë kufitare. Udhëtimi të mos parashikojë transitin nëpër Vendet e tjera Shengen. I huaji të paraqesë pasaportën së bashku me vizën e hyrjes, në mënyrë që të kuptohen arsyet e qëndrimit (punësim, punë e pavarur apo bashkim familjar) si dhe kuponin e Postave Italiane SpA, që vërteton kërkesën e bërë për lëshimin për herë të parë të lejes së qëndrimi. Personeli i kontrolleve kufitare duhet të vulosë dokumentin e udhëtimit dhe kuponin, që do të paraqiten nga personi që i zotëron, në momentin e daljes dhe rihyrjes në Itali", përfundon komunikata për shtyp e ambasadës italiane në Tiranë.

8 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›