E tërhoqën zvarrë me makinë për pronën, prangoset njëri nga vëllezërit
Dy vëllezër kanë marrë peng dhe dhunuar fqinjin e tyre, duke e tërhequr zvarrë me mjetin e tyre, por më pas është prangosur vetëm njëri prej tyre. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se mëngjesin e së enjtes është arrestuar shtetasi Xhevahir Plaka, lindur dhe banues në fshatin Gostimë të rrethit të Elbasanit. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se ky shtetas, në bashkëpunim me vëllain e tij, Ismail Plaka, për motive të dobëta kanë tentuar të vrasin me dashje, duke e goditur e më pas tërhequr zvarrë me mjetin e tyre tip “Wolksvagen” bashkëfshatarin e tyre, Kujtim Boja, 37 vjeç. Pas denoncimit të bërë në polici mbrëmjen e së mërkurës policia arriti të ndalojë vetëm njërin prej autorëve, ndërsa është shpallur në kërkim Ismail Plaka.
Ngjarja
Familjet Plaka dhe Boja, me banim në fshatin Gostimë të rrethit të Elbasanit, prej kohësh ishin përfshirë në një konflikt mes tyre. Ata ishin në konflikt për pronësinë e një toke në fshat. Në pamundësi për ta zgjidhur problemin përmes bisedimesh, mbrëmjen e së mërkurës dy vëllezërit Plaka kanë vendosur të hakmerren. Xhevahir dhe Ismail Plaka kanë shkuar mbrëmjen e së mërkurës në banesën e Kujtim Bojës, duke e kërkuar që të bisedonin. Pikërisht në këtë moment dy palët janë konfliktuar me njëri-tjetrin. Dy vëllezërit, duke përfituar nga fakti se 37-vjeçari Boja ishte i vetëm, e kanë marrë peng dhe e kanë futur në mjetin e tyre. Pasi e kanë keqtrajtuar, e kanë lidhur pas makinës së tyre, duke e tërhequr zvarrë për disa qindra metra. Skena e tmerrshme e dhunimit të Kujtimit është bërë në prani të gjithë fshatit. Pikërisht në momentin kur është kuptuar se po vinte policia, dy vëllezërit e kanë lënë në gjendje kome bashkëfshatarin e tyre dhe janë larguar në drejtim të paditur.
Arrestimi
Një telefonatë ka mbërritur në orët e vona të mbrëmjes së mërkurës në komisariatin e Policisë së Elbasanit. Një grup i gatshëm i forcave të policisë, nën shoqërinë e vetë drejtorit të Policisë së Qarkut të Elbasanit, janë nisur drejt fshatit Gostimë. Ata i kanë dhënë ndihmën e parë i keqtrajtuarit. 37-vjeçari është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore nga policia në Spitalin Rajonal të Elbasanit. Ai ka marrë plagë të shumta në trup dhe ka pak shpresa për jetën. Ndërkohë që dëshmitë e fshatarëve të Gostimës, pasi kanë qenë dëshmitarë të këtij dhunimi, kanë ndihmuar forcat e rendit për zbardhjen e ngjarjes dhe operacionin kërkimor për kapjen e tyre. Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, u bë e mundur kapja e njërit prej tyre, në fshatin Gjyralë të Komunës së Gostimës, ku edhe ishte fshehur. Ndërsa është shpallur person në kërkim vëllai i të arrestuarit, Ismail Plaka dhe po punohet për kapjen e tij. Në të gjitha akset rrugore që lidhin fshatin ku ndodhi ngjarja me qytetin e Elbasanit dhe rrethet e tjera, janë bllokuar nga postblloqet policore. Tashmë, dy vëllezërit Plaka akuzohen për “heqje të lirisë së tjetrit” dhe “vrasje të mbetur në tentativë”. Konfliktet për pronat kanë shkaktuar shumë konflikte gjatë këtyre viteve. Fakti është se çështja e pronësisë është ende e pazgjidhur në mijëra raste, e cila thuajse çdo ditë bëhet shkas për viktima dhe të plagosur.
8 Gusht 2008