Policia arreston të kërkuarën për vjedhje
Një 27-vjeçare është ndaluar të enjten nga forcat e policisë së Tiranës, pasi ishte shpallur në kërkim për veprën penale të "vjedhjes së mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim".
urime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur dje për gazetën “Albania” se forcat e Sektorit te Operacioneve pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut ndaluan shtetasen Liljana Dalipi, 27 vjeç, lindur dhe banuese në Tiranë. Sipas këtyre burimeve, ndaj kësaj shtetaseje Prokuroria e Tiranës kishte lëshuar urdhrin e ndalimit për ekzekutim e vendimit penal të datës 22 Prill 2008, pasi Gjykata e Shkallës Parë Tiranë, me vendim të formës së prerë, e ka dënuar me 6 muaj heqje lirie, për veprën penale të "vjedhjes së mbetur në tentativë në bashkëpunim".
Prokuroria përfundon hetimet ndaj tre punonjësve të KESH-it
Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet ndaj tre punonjësve të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), të cilët akuzohen për veprën penale të "shpërdorimit të detyrës". Burime nga kjo prokurori konfirmuan të enjten, se çështja penale në ngarkim të tre punonjësve të KESH-it është dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Sipas këtyre burimeve, të pandehurit e kësaj çështje akuzohen se kanë kryer përllogaritje të pasakta të faturave të energjisë elektrike. Hetimet ndaj tyre mësohet se nisën pak muaj më parë pas kallëzimit të bërë në Prokurori nga Policia Elektrike. Ndërkohë, tre të akuzuarit janë hetuar në gjendje të lirë nga organi i akuzës.
Prokuroria:Arrest me burg për grabitësit e bankës
Prokuroria e Tiranës dërgoi dje në Gjykatën e Shkallës së Parë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre personave të dyshuar si autorë të grabitjes pak ditë më parë të filialit të Bankës NBG në autostradën Tiranë -Durrës. Burime nga kjo prokurori bënë të ditur dje se organi i akuzës i ka kërkuar Gjykatës të vendosë masën e sigurisë "arrest me burg" për të akuzuarit e kësaj ngjarjeje. Ndërkohë, seanca gjyqësore ndaj tyre pritet të realizohet ditën e sotme. Tre të dyshuarit; Fatjon Karanxha, 22 vjeç, Luan Kuçi, 22 vjeç dhe Edmir Shehi, 18 vjeç, banues në Tiranë, u arrestuan para dy ditësh gjatë një operacioni të organizuar nga policia e Tiranës dhe ajo e Dibrës nën akuzën e grabitjes së filialit të Bankës NBG në kilometrin e 9-të të autostradës Tiranë Durrës. Personat e mësipërm akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin, nën kërcënimin e armëve, kanë vjedhur 1 milion lekë nga kjo bankë.
8 Gusht 2008