Policia Rrugore apel shoferëve të respektojnë rregullat
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, nëpërmjet një deklarate për mediat, u bëri dje apel drejtuesve te automjeteve qe të zbatojnë me korrektësi normat e qarkullimit rrugor. Nisur nga aksidentet fundit automobilistike në këtë qark, kjo drejtori paralajmëron masa të rrepta për të gjithë drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Gjatë 24 orëve të fundit, në qarkun e Tiranës kanë ndodhur dy aksidente rrugore me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve. Policia, ne bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për këto ngjarje.
Sipas burimeve zyrtare, shërbimet e policisë rrugore arrestuan shtetasin Qani Xhani, 22 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Luz të Madh, pasi duke drejtuar automjetin tip Benz 250, me targa KJ7092 A, në segmentin Kavajë - Rrogozhinë, në Lekaj, gjatë një parakalimi është përplasur me automjetin tip Furgon, me targa DR3324 C, me drejtues shtetasin Arben Sula, 45 - vjeç, banues në Durrës. Si pasojë e aksidentit, ka gjetur vdekjen drejtuesi i mjetit furgon, shtetasi Arben Sula, si dhe ka pësuar dëmtime bashkëshortja e tij, Pranvera Sula, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa në segmentin rrugor Kavajë - Durrës, shtetasi Mikel Poshnjari, 56 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar automjetin tip Benz, me targa TR 5918 I, është përplasur me automjetin tip Jeep me targa TR3833 P, i drejtuar nga shtetasi Dorjan Beci, 32 vjeç, banues në Tiranë. Për pasojë, është dëmtuar shtetasi Myslym Mene, 60 vjeç, banues në Tiranë, pasagjer në automjetin me targa TR5918 I, i cili është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë. Këto çështje i kaluan për hetime Prokurorisë për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.
8 Gusht 2008