E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyvjetori i tragjedisë, PS-ja, homazhe të hënën për viktimat



Opozita do të përkujtojë të hënën, më 15 mars, viktimat e rëna në tragjedinë e Gërdecit dy vjet më parë. Larg ngjyrave partiake, drejtues të PS-së kanë menduar që në mënyrë të pavarur të organizojnë një nderim dhe homazh për 26 viktimat e shpërthimit vrastar në Gërdec, pikërisht më 15 mars 2008. Ende nuk janë përcaktuar qartë detajet e këtij organizimi, por vetë kryetari socialist pohoi se PS-ja do të protestojë “në një formë të caktuar”. Një vit më parë PS-ja protestoi me moton “Mos harro!”. Mbahet mend nga të gjithë që në sheshin “Skënderbej” u “përplasën” dy partitë e majta, PS-ja me aleatet e saj nga njëra anë, dhe LSI-ja nga ana tjetër. PS-ja e nisi protestën e saj nga krateri i shpërthimit, duke i përkujtuar viktimat me lule, flamuj e më pas një turmë e gjatë njerëzish nisi një marshim të gjatë nga Gërdeci deri në qendër të Tiranës. Mbuluar me një flamur të gjerë sa njëra anë e autostradës Tiranë-Vorë, të rinj socialistë, shoqëruar edhe nga qytetarë të ndryshëm nga e gjithë Shqipëria, mbërritën afër mbrëmjes në Tiranë, ku nisi një miting madhështor. Në fjalimet e tyre liderët politikë të së majtës i kërkuan qeverisë që të mos e pengonte Drejtësinë të hetonte dhe të dënonte përgjegjësit për këtë tragjedi. Të njëjtën gjë bëri në sheshin para Kryeministrisë më 15 mars 2008 edhe zëvendëskryeministri Ilir Meta, njëherësh kryetar i LSI-së. Sipas burimeve nga PS-ja, këtë vit nuk është se parashikohet një protestë e këtij lloji, por është menduar që patjetër të ketë një aktivitet përkujtimor për 26 viktimat e tragjedisë së tmerrshme, prej së cilës mbetën të plagosur më shumë se 300 persona. Gjatë gjithë kësaj kohe opozita nuk ka reshtur së akuzuari qeverinë si “qeveri e Gërdecit”, apo se po mbron me imunitet ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili konsiderohet fajtori kryesor i kësaj ngjarjeje, plagët e së cilës ende nuk janë mbyllur.

15 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›