Kushtetuesja i kërkon Gjykatës së Lartë të zbardhë vendimin për Mediun
Laureta Rryçi
Gjykata Kushtetuese i kërkon Gjykatës së Lartë zbardhjen e vendimit për pushimin e çështjes ndaj ministrit Fatmir Mediu. Lajmi konfirmohet nga të dëmtuarit që vendosën të ankoheshin në Gjykatën Kushtetuese për vendimin e fundit mbi Mediun. Sipas tyre, ndërsa janë interesuar se kur do të shqyrtohet kërkesa e tyre, kanë mësuar se pa ardhur vendimi i zbardhur nga Gjykata e Lartë, Kushtetuesja nuk mund ta shqyrtojë kërkesën qoftë dhe paraprakisht për të mësuar nëse i plotëson kushtet për t’u shqyrtuar nga kjo gjykatë. Banorët shprehen se kolegji penal i Gjykatës së Lartë duket se nuk i ka respektuar afatet për zbardhjen e vendimit, mirëpo kjo nuk i ka penguar ata që të bënin ankesën në Kushtetuese në mënyrë që ata të ishin korrekt me afatet.
Ankesa
Dy të dëmtuarit nga tragjedia e Gërdecit, Roxhers Durdaj dhe Alekta Hazizaj, kanë dhe një mundësi të vetme për të vijuar betejën ligjore me ish-ministrin Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Në prag të dyvjetorit të tragjedisë së Gërdecit, familjarët e viktimave janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Lartë për mospërfshirjen e ish- ministrit të Mbrojtjes në atë kohë, Fatmir Mediu, në procesin gjyqësor për ngjarjen. Nga shpërthimi i fabrikës së demontimit dhe çmilitarizimit në 15 marsin e vitit 2008, u vranë 26 persona, punëtorë dhe banorë të zonës përreth, mes të cilëve edhe gra e fëmijë. Nga shpërthimet u plagosën apo u lënduan 300 persona të tjerë, ndërsa pati shkatërrime dhe dëmtime të banesave e të bizneseve private në një rreze deri në 5-6 kilometra. Ndaj ministrin ka dhe dy padi civile të tjera që po shqyrtohen në Gjykatën e Tiranës.
Vendimi
Gjykata e Lartë e shpëtoi për të dytën herë imunitetin Fatmir Mediut. Pas shqyrtimit të provave të depozituara nga dy të dëmtuarit e tragjedisë së Gërdecit, për kolegjin penal nuk ekzistonte asnjë provë direkte apo indirekte që fajësojnë ish-ministrin e Mbrojtjes për akuzën e plagosjes me dashje. Në këtë mënyrë, Gjykata e Lartë duket se u ka vënë kyçin njëherë e mirë të gjitha akuzave të ngritura ndaj ish-ministrit Mediu, duke marrë të njëjtin vendim për pezullim të padisë ndaj tij njëlloj siç veproi në shtator të vitit 2009. Imuniteti që e lehtësoi Mediun në shtator nuk iu cenua as në vendimin e disa ditëve më parë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i familjarëve që kishin ngritur paditë. Ata u shprehën se përballë kësaj situate u duhet të nisin betejën me Drejtësinë shqiptare që po mbyll sytë para fatkeqësisë së tyre, dhe jo më me zyrtarët që i dogjën për së gjalli. Me ironi janë shprehur avokatët e Mediut, të cilët thumbuan institucionin e akuzës, me të cilin e kanë fituar një betejë ligjore. Kolegji penal i Gjykatës së Lartë, që drejtohej nga relatori Andi Çeliku, vendosi të pushojë çështjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili u padit nga dy banorët e Gërdecit, të plagosur rëndë nga shpërthimi i 15 marsit 2008. Sipas kolegjit penal, nuk ka prova që të vërtetojnë fajësinë e Mediut e, për pasojë, nuk mund të kërkohet heqja e imunitetit. Kështu, Gjykata e Lartë pushoi çështjen ndaj Fatmir Mediut që për dy herë me radhë është kërkuar të vihet në akuzë për të njëjtën tragjedi. Herën e parë imuniteti iu kërkua nga Prokuroria dhe të dytën herë nga familjarë të të dëmtuarve nga tragjedia e 15 marsit, që mori 26 jetë njerëzish.
Box
Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e parë të banorëve të Gërdecit
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar, pa e nisur shqyrtimin, kërkesën e familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit. Kësisoj,
pas 26 të vrarëve nga shpërthimi i Gërdecit, familjarët kanë humbur të drejtën për të ndjekur procesin ndaj personave të akuzuar nga prokuroria. Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos e kalojë çështjen në seancë penale menjëherë sapo 17 familjarë të viktimave iu drejtuan për t’u ankuar mbi vendimin e Gjykatës së Lartë, që i veçonte ata nga procesi duke i dërguar në një proces më vete civil. Në vendimin e kolegjit, Gjykata Kushtetuese shprehet se ndodhet përpara një vendimi të ndërmjetëm, që nuk ka të bëjë me një gjykim përfundimtar dhe në këto kushte, kur Gjykata nuk ka nisur hetimin gjyqësor, pretendimet e kërkuesve nuk gjejnë pasqyrim në aktet e kësaj çështjeje. Avokatja e familjareve të tragjedisë, Blerta Kraja, pohoi se pas këtij vendimi familjarët do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut, pasi gjykatat shqiptare kanë precedentë të mëparshëm, ku pala e dëmtuar ka të drejtë ta ndjekë procesin gjyqësor ndaj të akuzuarve.
15 Mars 2010