Shkurtimet në buxhet, Olldashi i kërkon Bodes ti gjejë paratë për rrugët
Ervin KOÇI
Shkurtimet e fondeve të buxhetit të Transporteve për vitin 2010 kanë rihapur sërish debatet mes Ministrit të Transporteve dhe atij të Financave. Ky i fundit është vënë sërish në shënjestër të kritikave të tërthorta të Ministrit të Transporteve Olldashi, i cili fajëson pikërisht dikasterin e Financave për pamjaftueshmërinë e fondeve për rrugët. MPPTT-ja është dhe dikasteri më i goditur, me rreth 9.2 miliardë lekë më pak nga sa ishte parashikuar. Pakësimi i këtij fondi prek vetëm planin e investimeve, ndërsa në zërat e tjerë nuk do të ketë ndryshime. Burime nga Transportet thonë se, “pjesa e fondeve të akorduara në buxhetin e këtij viti do të shkojë e gjitha për financimin e projekteve të nisura vitin e kaluar, ndërsa të rejat kanë pak shanse të zbatohen”. Ndërkohë në lidhje me këtë situatë ministri Olldashi mësohet të jetë shprehur se, “ministri Bode ka shkurtuar jo pak, por 10 miliardë lekë fonde pikërisht nga ato që ishin programur për tre projektet e reja të akseve kombëtare”. Pak javë më parë Ministri i Financave, Ridvan Bode ka pasur polemika edhe me vetë kryeministrin Berisha, pasi shkurtimi i fondeve është deklaruar vetëm një ditë pasi kreu i qeverisë deklaroi nisjen e projekteve të tre akseve nacionale gjatë vitit 2010. Burime nga MF-ja bëjnë të ditur se, “po përgatitet tabela e shpenzimeve sipas planit të ri, me 20 për qind shkurtime. Ulja e shpenzimeve do të jetë me të paktën 25 miliardë lekë, ku gjysma i takojnë MPPTT-së, institucioni që mbulon investimet e mëdha në vend, si rrugët dhe ujësjellës-kanalizimet”.
Shkurtimet
Ende pa hyrë në fuqi plani i shkurtimeve, MPPTT-ja ka një buxhet prej rreth 52 miliardë lekësh, ku 36 miliardë i takojnë ndërtimit të rrugëve, nga të cilat 12 miliardë me fondet e shtetit dhe të tjerat me borxhe. Me këto të dhëna dhe duke parë tabelat e investimeve të infrastrukturës rrugore, fondet nuk mjaftojnë. Situata bëhet më e rëndë nëse vihet në zbatim plani i reduktimit të fondeve me të paktën 10 miliardë lekë. Detajimi i buxhetit të ri nuk ka përfunduar ende, por planifikohet një shkurtim fondesh mesatarisht 30 për qind për çdo ministri, ku më e goditura është dikasteri i Olldashit. Plani i Financave “tradhton” në një farë mënyrë Kryeministrin, i cili në mbledhjen e fundit të qeverisë, renditi një sërë aksesh rrugore që do të marrin zgjidhje këtë vit. Por edhe nëse nuk do të kishim ulje fondesh, sërish rrugët e premtuara nga Kryeministri nuk gjenin zbatim, pasi buxheti aktual është i pamjaftueshëm.
Problemet
Tjetër problem jo pak serioz për qeverinë janë shpronësimet, të cilat ngadalësojnë procesin e investimeve. Shumë projekte rrugore mbesin peng i procedurave të gjata të identifikimit të pronarit dhe kompensimit, ndërsa nuk mungojnë problemet me çmimin e kompensimit. Për këtë zë janë parashikuar rreth 1 miliard lekë, ndërsa 4.1 miliardë lekë janë për mirëmbajtje, asfaltim dhe riveshje. Rreth 55 për qind e investimeve në rang vendi zhvillohen nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, kurse te rrugët, mbështetja më e madhe (rreth 57 për qind) vjen nga bankat dhe institucionet e huaja financiare.
15 Mars 2010