E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrugët e reja, mungojnë fondet në buxhetin e shtetit



Kryeministri Berisha ka deklaruar se qeveria nuk do të tërhiqet nga tri projektet e mëdha infrastrukturore, “Rruga e Arbrit”, autostrada Tiranë-Elbasan dhe ajo Berat-Tepelenë. Sipas deklarimeve të herëpashershme, por ende pa konfirmuar zyrtarisht një shifër, qeveria parashikon që ndërtimi i rrugës Berat-Tepelenë të kushtojë rreth 410 milionë euro, segmenti tjetër i Boshtit të Jugut, Tiranë-Elbasan e ka koston e përafërt rreth 170 milionë euro dhe po kaq do të kushtojë segmenti me një tunel të Rrugës së Arbrit. Pra një parashikim që tenton të kapë shifrën prej rreth 1 miliard eurosh dhe afati fundor i paracaktuar për përfundimin e tyre është viti 2013. Por çështja tashmë shtrohet se ku do të gjenden paratë për financimin e tyre. Me gjithë premtimet e qeverisë për të mos i prekur këto projekte, në buxhetin e shtetit ende nuk është përcaktuar se sa do të jenë fondet që qeveria do të japë në vitin 2010 për to. Buxheti aktual nuk të jep asnjë sinjal se financimet e parashikuara aty në zërin e investimeve kapitale do të jenë të mjaftueshme për këto tri vepra të mëdha. Sipas të dhënave zyrtare të buxhetit, në vitin 2010 fondi për ndërtimin e rrugëve ka rënë me 30 për qind dhe nga 52.7 miliardë lekë që ishte vitin e kaluar është ulur në 36.9 miliardë lekë, duke përfshirë edhe financimet e huaja. Me këto shifra edhe nëse qeveria do t’i përqendrojë të gjitha paratë e investimeve në këto tri projekte, sërish nuk do t’ia dalë t’i financojë ato brenda afateve. Ndaj në këtë pikë, shpresa e vetme mbeten sërish kreditë nga donatorët, të cilat do të lehtësonin disi koston e buxhetit, por duket e vështirë tashmë që Shqipëria nuk përfiton dot më nga kreditë e buta dhe nuk e ka më luksin për të rritur borxhin, që është sakaq në nivelet më të larta.

Ekspertët e ekonomisë: Skema e deklarimit të pasurisë prek të pasurit

Identifikimi i të ardhurave dhe shpenzimeve të çdo individi përmes deklaratës personale ka shkaktuar debat mes ekspertëve të sistemit fiskal. Ata mendojnë se administrata tatimore nuk i ka ende kapacitetet e duhura për të administruar morinë e faturave të individëve. Megjithatë, projekti gjykohet pozitiv, pasi forcon kulturën e mbajtjes së faturës, ndërsa biznesi ndikohet më tepër të futet në sistemin formal të ekonomisë. Agim Binaj, kontabël i miratuar, ish-anëtar në Komisionin e Apelimit të Ministrisë së Financave, shpjegon se avantazhet që sjell deklarimi i të ardhurave personale, bashkangjitur me shpenzimet, duke ruajtur ato fatura që qeveria do t’i miratojë me vendim të posaçëm. Ndërsa Xhavit Curri, ekspert dhe konsulent i taksave, ish-drejtues në Tatime, evidenton disa probleme reale që lidhen me menaxhimin, ndërsa sqaron paraprakisht skemën e aplikimit të taksës. Për ekspertët e fushës është tepër e vështirë të mbash një qëndrim kur nuk ka ende një vendim zyrtar apo një draft, por vetëm deklarata publike. Pavarësisht kësaj, nisur nga përvoja, ekspertët thonë se deklarata personale do të nxisë konsumatorin të ruajë faturën, sikurse ndodh në botën perëndimore.

Tatimet ngelen në vështirësi, nuk ka rritje të të ardhurave

Rreziku më i madh për ekonominë shqiptare në vitin 2010 është paralajmëruar qëndrueshmëria e buxhetit dhe financave të qeverisë, që po kalojnë periudhën më të vështirë të viteve të fundit. Në një intervistë për mediat, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani tregon se të ardhurat fiskale gjatë kësaj periudhe nuk janë rritur edhe krahasuar me të njëjtin vit më parë, kur kriza ndërkombëtare hyri në pikun e saj. Veç ngadalësimit të aktivitetit ekonomik rënia e të ardhurave është e lidhur edhe me uljen e investimeve publike, por edhe vështirësitë financiare të disa tatimpaguesve të mëdhenj, kryesisht shoqëri publike. “Do të ishin shumë të larta, në rast se dy-tre tatimpagues potencial do të kishin qenë korrektë dhe do të kishin shlyer në kohë detyrimet”,- u shpreh Papajani. Të dhënat zyrtare tregojnë se edhe në dogana të ardhurat e mbledhura për janarin ishin rreth 9 për qind më të ulëta nga plani duke paralajmëruar se këtë vit qeverisë do t’i duhet t’i bëjë mirë llogaritë e buxhetit, për të evituar një krizë të financave publike.

Kreditimi i bujqësisë, ministri Ruli u bën thirrje bankave

Ministri i Bujqësisë Ruli, gjatë një vizite në stabilimentet e zonës së Durrësit dhe Tiranës, ka deklaruar nismën e qeverisë për të ndarë këtë vit rreziqet me bankat private që kreditojnë sektorin bujqësor dhe agroushqimor. Sipas tij, rruga më e mirë për zhvillimin e sektorit të bujqësisë është tërheqja dhe garantimi i kapitalit bankar në ferma dhe agropunime. Ministri i Bujqësisë, e sheh investimin në prodhim dhe agropërpunim si alternativën më të mirë të zhvillimit dhe rritjes ekonomike të vendit. Sipas tij, me dhjetëra prodhues të vegjël po zhvillojnë me sukses biznese bujqësore, duke sjellë në vend përvojat dhe teknologjinë e vendeve europiane. Kjo sipas Rulit ka bërë që edhe në mungesë të subvencioneve në vend të prodhohet me standarde europiane. Së bashku me ambasadoren zvicerane, ministri Ruli ka vizituar Institutin e Bujqësisë Biologjik. Me qëllim mbështetjen financiare dhe teknike të bujqësisë BIO, qeveria zvicerane, e mbështetur edhe nga SHBA-ja në vitin 2001 ndërmori projektin “Mbështetje për bujqësi të qëndrueshme në Shqipëri (SASA)”. MBUMK-ja bën të ditur se ndërkohë po vazhdon projekti për përmirësimin e gjendjes ekonomike të popullsisë rurale, duke rritur cilësinë e produkteve dhe tregtimin e tyre në tregun vendas dhe atë të eksportit.

15 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›