E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja, optimizmi vjen nga pankina



Miqësorja e fundit me Pogradecin e ka lënë të kënaqur stafin teknik të Lushnjës, që ka parë në fushë një ekip me grintë të admirueshme. Edhe pse është vetëm takimi i dytë miqësor i zhvilluar gjatë fazës përgatitore, lojtarët kanë dhënë maksimumin në fushë, duke bindur trajnerin Bano se e meritojnë një vend në formacionin e verdhejeshilëve. Nuk ka qenë vetëm rezultati që ka bindur drejtuesit, por vendosja taktike e të gjithë futbollistëve pa përjashtim. Stafi teknik mendon se futbollistët kanë edhe më për të treguar nga vlerat e tyre. Ndaj, Lushnja do të rritet më shumë në takimet e tjera miqësore që ata do të zhvillojnë, e deri në përfundim të fazës përgatitore të gjithë lojtarët do të jenë në formën e tyre më të mirë në fillim të sezonit. Zëvendëstrajneri Dritan çuko për “Panorama Sport” thotë: “Mendoj se deri tani puna ka shkuar shumë mirë. Në takimin e zhvilluar ndaj Pogradecit, duke mos u nisur nga rezultati, ne kemi mbetur shumë të kënaqur pasi që të gjithë futbollistët kanë treguar grintë në fushën e lojës e po ashtu kanë zbatuar me përpikëri të gjitha detyrat e dhëna prej nesh. Repartet janë harmonizuar shumë mirë me njëri-tjetrin e kjo na ka ngrohur shumë, megjithatë kemi ende punë për të bërë që loja jonë të ketë rritje nga takimi në takim. Në ndeshjet që ne kemi zhvilluar deri tani, kemi konstatuar se ekipi ka nevojë për afrime sidomos në repartin e sulmit e po ashtu edhe në mbrojtje. Drejtuesit janë në bisedime me disa futbollistë që luajnë në këto role dhe shpresojmë që këta të afrohen shumë shpejt me ne”, - përfundon numri dy i pankinës së Lushnjës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›