E Shtunë, 31 Tetor 2026

E akuzoi nusja për vjedhjen e pulave, tenton të vrasë djalin



FIER – Fati ka shmangur një tragjedi tjetër në familje ku një 60-vjeçar ka tentuar të vrasë të birin në prani të gjithë familjes. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se është arrestuar shtetasi Enver Aliaj pasi ka qëlluar me armë zjarri tip automatik në drejtim të djalit të tij, nuses dhe 4 nipërve. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së martës, rreth orës 23.30 në fshatin Ferras të Levanit, në rrethin e Fierit. Falë ndërhyrjes në kohë, është bërë e mundur që të shmanget gjakderdhja. Sipas të dhënave në komisariatin e Fierit, dje është bërë ndalimi i 60-vjeçarit Aliaj, për të cilin dyshohet se e ka kryer tentativën e vrasjes në kushtet e një gjendje të rëndë psikologjike. Nga të dhënat në grupin hetimor dyshohet se shkaku i konfliktit ka qenë mes vjehrrit dhe nuses së shtëpisë, ku 60-vjeçari është akuzuar se vidhte pulat e djalit.
Ngjarja
Burimet zyrtare në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit pohojnë se Enver Aliaj ka qëlluar më armë, tip automatik në drejtim të djalit të tij, Altin Aliajt, 34-vjeç. Brenda në dhomën ku ndodhi përplasja mes babait dhe djalit, ka qenë edhe nusja e Altinit së bashku me katër fëmijët. “Djali dhe nusja akuzuan babanë se ai u vidhte pulat, madje kanë pretenduar se e kanë parë, ndërsa ai vidhte”- thonë burimet nga vendi i ngjarjes. Mësohet se nusja e djalit, ka shkuar në shtëpinë e vjehrrit dhe i ka thënë se e ka parë ndërsa u vidhte pulat. Sipas të dhënave të para, 60-vjeçari është nervozuar dhe e ka qëlluar me një shkop që ka pasur aty pranë. Këtë skenë e ka parë edhe i biri, 34-vjeç, që ka ndërhyrë për të qetësuar situatën. Edhe ai e ka akuzuar babanë për të njëjtën gjë.
Në këtë moment, 60-vjeçari ka hyrë në shtëpi, ka rrëmbyer një automatik dhe ka shtënë të drejtim të tyre. Për fat, plumbat nuk kanë prekur asnjë nga familjarët, të cilat të alarmuar kanë njoftuar policinë.
Arrestimi
Krismat e plumbave kanë alarmuar edhe fqinjët, të cilët kanë shkuar menjëherë në banesën e Altin Aliajt. Ata kanë njoftuar forcat e policisë, të cilat kanë mbërritur Brenda pak minutash në vendngjarje. “Policia ka bërë arrestimin e Enver Aliajt dhe më pas ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën, por ende nuk janë gjetur gëzhojat”- thanë burimet e policisë. Dosja në ngarkim të tij i ka kaluar tashmë prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme. Shtetasi Enver Aliaj akuzohet për veprën penale të “vrasjes së mbetur në tentativë”. Prej disa kohësh janë regjistruar një numër krimesh në familje, të cilat janë të motivuara me kushtet e vështira ekonomike, gjendjen e rëndë psikologjike dhe shkaqe të tjera të natyrës sociale.

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›