E Diel, 1 Nëntor 2026

Tumoret, 2800 persona në vit humbasin jetën



Emanuela Sako

Rreth 2800 persona në vit vdesin nga sëmundja e kancerit. Të prekurit nuk kanë mundësi shpëtimi, pasi nuk kryejnë diagnostikimin në kohën e duhur. Mjekët sqarojnë se kapja e sëmundjes në kohën e duhur jep më tepër mundësi jetese për personat e prekur. Kjo shifër është tepër e lartë për numër popullsie dhe specialistët sqarojnë se numri i të prekurve po shkon drejt rritjes. Drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Bardh Spahia, sqaroi se për parandalimin e kësaj sëmundjeje te femrat janë bërë projekte që kanë rezultuar të sakta dhe që kanë shpëtuar jetën e shumë grave. Ekzaminimet e gjirit po kryhen falas, falë programit “INTERREG III”, i financuar nga Komuniteti Europian, përmes rajonit të Pulias (Itali) për Shqipërinë, që tani është në përfundim. Ndaj dhe Ministria e Shëndetësisë po punon për gjetjen e zgjidhjeve më të mira për kryerjen e këtyre ekzaminimeve për më tej.
Projekti
Projekti për diagnostikimin falas të kancerit të gjirit është drejt përfundimit. Statistikat e Ministrisë tregojnë se rreth 250 gra në mbarë vendin kanë kapur në kohë sëmundjen e kancerit të gjirit, nga 11 mijë vizita që janë kryer deri tani. Projekti për diagnostikimin e grave nga kanceri i gjirit tashmë do të bëhet me para. Burime nga Ministria e Shëndetësisë flasin për një mundësi shtyrjeje të projektit për shkak të numrit të madh të grave që kryejnë vizita. Në të kundërt, Ministria e Shëndetësisë do të vendosë se cilët do të jenë mjekët specialistë që do të marrin në dorë këtë shërbim. Njëkohësisht do t’i duhet që të vendosë një tarifë për kryerjen e vizitës, sipas një kostoje që do të duhet edhe për konsumin e materialeve që kërkon mamografia.
Ekzaminimet
Specialistët sqarojnë se tumoret shkaktohen nga ndryshimi i kushteve të jetesës, ku mungon aktiviteti fizik, mënyra e ushqyerjes, konsumimi i alkoolit, i duhanit etj. “Kurba është në rritje, pasi, si të gjitha sëmundjet, neoplazitë, dhe kanceri i gjirit është në rritje në vendin tonë. Kjo tendencë vjen për vetë ndryshimin e stilit të jetesës”, - u shpreh Spahia, specialist në Ministrinë e Shëndetësisë.
Numri i ekzaminimeve të kryera është tepër i madh, njëkohësisht edhe kapja e sëmundjes në fazat e para. Në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 3 çdo ditë drejtohen mbi 20 paciente për të kryer vizitën me anë të mamografisë. Qytetaret vijnë nga kryeqyteti dhe nga rrethet e tjera të vendit. Kështu, stafi i specialistëve italianë ka çdo ditë radhë pas portës së poliklinikës. Kjo poliklinikë shënon edhe numrin më të lartë të pacienteve, por pa përjashtuar edhe rrethet e Fierit, Durrësit dhe Shkodrës, ku ndodhen tre mamografitë e tjera. Njëra nga mamografitë, që është jashtë këtij projekti, ndodhet në Spitalin e Onkologjisë në QSUT.

4 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›