Mungesa e gjakut, qytetarët e Tiranës dhurojnë në klinikën “At Luigji Monti”
Kriza e mungesës së gjakut nëpër spitalet e kryeqytetit dhe të mbarë vendit, duket se ka sensibilizuar qytetarët e ndryshëm, që janë treguar të predispozuar të japin ndihmën e tyre. Dhjetëra qytetarë të Tiranës i janë përgjigjur dje apelit të bërë nga Shoqata e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut për të dhuruar nga një flakon me “lëngun e jetës” për pacientët në nevojë. Një sallon i klinikës “At Luigji Monti” në Tiranë, në pavijonin pritës, dhjetëra dhurues vullnetarë gjaku, të cilët me bujari kanë shtrirë krahun për të dhuruar për njerëz të cilët nuk i njohin, por që dinë se do t’u vijnë në ndihmë nëpërmjet këtij veprimi. Përfaqësuesi i shoqatës “DHVGJ”, Dr. Natale Capodicasa, ka thënë për gazetën “Albania” se “është i kënaqur nga rezultatet e fillimit, pasi që në orët e para të mëngjesit kanë ardhur dhe janë paraqitur me dhjetëra qytetarë për të plotësuar formularët e autotestimit dhe për të dhuruar më pas”. Sipas tij, të parët që i përgjigjen thirrjeve dhe apeleve të herëpashershme të Ministrisë së Shëndetësisë, por dhe Bankës Kombëtare të Gjakut, janë pikërisht anëtarët vullnetarë të DHVGJ-së, të cilët janë shtuar në disa mijëra, sidomos vitin e fundit. Një shpresë e mirë për doktor Capodicasa-n është tashmë edhe krijimi i atij grupi të dhuruesve vullnetarëve periodikë, të cilët dhurojnë tashmë deri dhe 4 herë në vit, duke qenë një grup jo i vogël që thirren sa herë që ka nevoja emergjente nëpër spitale.
4 Shtator 2008